Nga: Alban Tufa
Refleksione mbi vëllimin poetik “Të gjithë do ta dinë dhe do të heshtin” të poetit Meti Disha
Të rinjtë, janë shuma e asaj force që mblidhet nga demonstrimi për t’u kuptuar dhe mandej për t’u pranuar në shoqëri. Pas çdo tentative për me mbërri diku, për me qenë dikush, përballen me vetveten: fakti i të qenit i ri. Kur kjo nuk mbërrihet, të rinjtë revoltohen. Ata bërtasin, shpikin, krijojnë, krijojnë sidomos mënyra për me pas, për me qenë, për me u bërë. Dhe këtu nis beteja, beteja më e fortë, ajo me veten, dhe sigurisht më vonë me botën. Ja tek lind edhe një përballje e re. Unë, i ri (me pretendime të vjetra për të shkelë në territoret e poezisë) përballë poezisë së një poeti të ri (po me pretendime të vjetra): Meti Disha.
Në thelb, parantezat, veç shpjegimit, mbartin dy elementë shumë të rëndësishëm: lypjen për përfillje, dhe njëkohësisht lypjen për shpërfillje. Rasti ynë është i tillë, na e përfillni poezinë tonë krejt të re, dhe na shpërfillni neve që rrahim çdo ditë për me qenë poetë në një botë gjithë e më fare pak poetike, me prirje të thella drejt individualizmit, spektaklit, materies, prozës dhe në mënyrë të njëkohshme qëndrimin sa më larg nga tjetri (i ndryshëm). Vëllimi i sapodalë në publik (fjalë konvencionalisht korrekte, ngaqë lexues është term shumë i diskutueshëm sot), ta jep mu në ballë që me titull, prirjen individualiste të botës, dhe pafuqinë e kujtdo që rreh të bëjë të kundërtën: “Të gjithë do ta dinë dhe do të heshtin”.
Forma që dikton një përmbajtje ndryshe
Libri është fundekrye një shpallje modestie qysh e lyp në mënyrë të përhershme poezia. Jo më shumë se 100 faqe, ashtu siç poezia i dikton gjërat: ngjeshur e thukët. Meti, ka zgjedhë ta botojë librin vetë, duke i ikur diktatit të tregut, redaktorit (sipas Lasgushit) tru kokallë, faqosësit, hierarkisë së botimit, taksës së lartë mbi poezinë (krejt botueshmërinë), duke kursyer një deng lek për botim, duke gëzuar të gjitha të drejtat e poezisë për vetveten, duke e shpënë atë te vetë te liria. Me këto gjeste e shmangieje, Meti gatit një akt që mund t’i shërbejë për të reflektuar kujtdo që e quan veten botues, kujtdo që sponsorizon gjithfarësoj librash, dhe kujtdo që mendon se po harton politika leximi tek të rinjtë. Autori e ka kompozuar vëllimin në dy pjesë, në dy cikle poezish (1) “Të gjithë do ta dinë dhe do të heshtin” dhe (2) “Për gurët dhe myshqet” (poezia sipas meje, më përfaqësuese e vëllimit). Ndërsa unë do i shtoja edhe një cikël tjetër duke e quajtur (3) “Mikpritje”.
Që në mënyrën e botimit dalin elementë postmodernë, akti i shmangies, dalldia për t’i bërë gjërat vetë, shmangia e tjetrit duke shpallur: nëse ju (botues dhe prodhues) nuk më qasni, aq më bën, as unë s’ju qas. Sikur do me thënë, unë di ta nxjerr gozhdën me gozhdë. Kjo është forma e tashme e të botuarit, një botim pa ndërmjetësim, ballë më ballë me publikun: një proces postomodern komunikimi. Në këtë kuptim, duke qenë se autori prej kohësh është në kontakt me lexuesin e vet, e ka krijuar atë, e ka rritur atë, dhe vazhdon ta mbajë atë duke sjellë për herë të parë në Shqipëri një model krejt të ri libri: i hapur.
Libri që në kopertinë njofton se ka dy aurorë, njëri në njëjës: Meti Disha dhe, tjetri në shumës: Poetët e Shiut. Kush janë shumësi? Janë lexuesit e tij krijues, ata që e lexojnë në rrjete sociale dhe diskutojnë me të poezitë e tyre, të përfshira në ciklin e tretë me poezi të cilin unë e quajta thjeshtë “Mikpritje”, duke krijuar kështu brenda vëllimit një antologji të nivelit mikro. E gjitha kjo përveçse duket e guximshme tingëllon njëkohësisht madhështore. Ky guximi çel një marrëdhënie të re mes autorit dhe lexuesit duke qenë njëkohësisht e njëjta gjë, me role që tashmë s’kanë nevojë të këmbehen sepse rrojnë te secili, madje në mënyrë krejt të paqtë.
Në fund, përveç marrëdhënies, kjo formë vëllimi, duhet thënë krejt e veçantë, i hap udhë një stili botimi dhe bashkë botimi në poezinë shqipe, sidomos asaj që qarkullon nëpër hapësirën tonë virtuale, duke e nxjerrë atë nga ngarendja në instagram dhe facebook, dhe duke e fiksuar në një botim, në një formë libri, bri poezive të tjera. Kjo lloj perspektive mbetet për t’u parë.
Vëllimi në mesin e vet çahet në dy pjesë nga një ese me një sens të arsyeshëm mase, jo më shumë se tre faqe. Shpesh jemi mësuar që këtë formë a përpjekje për të shpjeguar projeksionet e veta, autorët ta vendosin ose në fillim – duke tentuar ta befasojnë lexuesin me prozën e tyre – ose në fund – ta përmirësojnë shijen e poezisë së tyre me një prozë. Por Meti bën ndryshe, e vë atë në mes, duke kryer kështu një akt fisnikërie dhe njëkohësisht duke i besuar tërësisht poezisë së tij.
Përbërja e përmbajtjes dhe nevoja për t’u vetëpërkufizuar
Teksa studiuesi i kulturës Raymond Wlliams, e rendiste kulturën si një ndër tre termat me të vështirë për t’u përkufizuar, unë do rendisja poezinë. Sipas meje, një ndër gjërat më zor të përkufizueshme është poezia, anipse, ose pikërisht ngaq e ka shoqëruar njeriun që në zanafillë. Për lexuesin poezia mbetet një vend kënaqësie, ku ai kalon kohë, mendon mbi të, përplotëson idetë e veta, shijon kombinimet e fjalëve, mbivendosjen e imazheve, rikthimet. Për botuesin poezia mbetet një luks i madh, që nuk i sjell ndonjë fitim, që nuk e ndihmon shtëpinë botuese. Për studiuesin a kritikun, poezia është mjeti i tij i punës, terreni që ai do çminojë. Është objekti të cilin ai e operon me mjetet e tij të ftohta, si një kirung në një trup njeriu duke nxjerrë organet e dëmtuara, me qëllimin e parë përmirësimin e trupit, dhe së dyti, le ta themi, marrjen e ca parave. Po për poetin? Çfarë është poezia për vetë poetin?
Tomas Eliot, thoshte që poezia është demoni që të përndjek. Pra, demoni që e përndjek autorin. Me gjithë dashninë që kemi për Eliotin, mund të themi qoftë edhe me një nxitje krejt eksperimentale që poezia mund të jetë engjëlli që na përndjek. Praktikisht, parehatinë një njeriu, jo veç një poeti, mund t’ia sjellë si demoni ashtu edhe engjëlli, varësisht kështu nga brendia e njeriut. Poezia është dalldia që e përndjek poetin.
Për poetin poezia është së pari nevoja e tij për të jetuar. Një poet jeton si i tillë në përjetësinë e vet, para dhe pas jetës. Përgjatë jetës jeton duke u marrë me veten e vet dhe me botën që e përrethon. Ai jeton duke gjetur imazhin përfaqësues të brengës së vet, duke gjetur fjalën e idesë së brengës së vet, të gëzimit të vet, të ndjesisë së vet. Kësisoj duke u rrekur ta përkufizojmë poezinë në tërësi, dhe poezinë e Meti Dishës në veçanti, lirisht mund të arrijmë në një pohim: Poezia është elementi më autobiografik i shkruesit të saj. Guxim i madh (!) mund të thotë dikush. Jo edhe aq, sepse në raport me poezinë e tij tashmë të përfunduar, poeti gjendet në dy kushte: (1) si personazh kryesor i saj, thënë kjo në veten e parë, dhe (2) si dëshmitar i situatës apo i ngjarjes tashmë të shpallur në poezi. Kushti i dytë përbëhet nga dy elementë që e shndërrojnë shkruesin e poezisë na një nivel të barasvlershëm në personazhin e saj kryesor. Së pari, gjendjen, ngjarjen, situatën, apo ndjesinë autori e përjeton në kohën reale tek po ndodh. Ai është dëshmitar i njëkohshëm me ta. Së dyti, të gjitha këto përjetime nga bota reale, ripërjetohen në një mënyrë më komplekse, por njëkohësisht edhe më të ngulitur në procesin e shkrimit. Poezitë e Meti Dishës, i përkasin pikërisht këtij lloji, thuajse autobiografike.
Pas kësaj përpjekjeje për të përkufizuar poezinë, me role njëkohësisht të shumfishta, por më së shumti në rolin e lexuesit, do paraqesim në mënyrë të thukët disa nga elementët më dominues të këtij vëllimi me poezi.
Nevoja e fizikes për të mbërritur te metafizika
Në të gjithë vëllimin me poezi, mbizotërojnë imazhe fizike duke i ndërtuar kuptimet nga sendet, nëpërmjet metaforave të njëpasnjëshme. Në këtë kuptim, autori iu qëndron besnik rregullave metaforike, dhe duke iu dhënë kështu sendeve jetë. Nëpërmjet kësaj tentative, në pjesën më dërrmuese të poezive, Disha, angazhohet të na japë hakun e ditëve tona. Sikur na thotë që sendet në botën fizike na shërbejnë për të shkruar tej, në një botë me të epërme, në atë metafizike, sidomos te poezia “Nëna”:
ulur në kolltuk, urtshëm,
me rrudhat si ravijëzime tufëzash gruri,
në përparëse i flenë lutjet
e namazit të mëngjesit
Dualiteti fizik-metafizikë gjendet në të gjithë poezinë “Për gurët dhe myshqet”. Që në titull, ne përballemi me dy gjësende: gurin dhe myshkun. Guri, i pajetë, i ftohtë, i fortë, i qëndrueshëm, simboli i inatit, i brengës, i përjetësisë, i pamundësisë për të harruar dhe myshku, send me jetë, por simbol i mungesës, i harresës, boshësisë, i një jetë të vakët. Por që të dy këto elementë diametralisht të kundërt, rrinë mbi njëri-tjetrin, njëri është pasojë e tjetrit, sikur jeta dhe vdekja, diametralisht kundër, por që rrinë në shpinë të njëra-tjetrës, kaq pranë, madje i nevojiten njëra-tjetrës, siç nevojitet nata për të dalluar dritën, siç nevojitet e bardha për ta dalluar të zezën. Siç na duhet fizika për t’u vetëpërkufizuar metafizika dhe anasjelltas.
vij këtu në varrezë te këta gurë,
që janë më të lexueshëm se ballet njerëzore,
gurë plot rrudha dhe ravijëzime historish të botës dikur,
gurë që janë si pergamena me kumte prej Zotit,
gurë të atdheut tim ku jo rastësisht u linda…
gurë me arterie dhe kapilarë, gurë të butë,
gurë tek të cilët shfaqet një shpresë për lëvizje,
një grimcë e vogël zhvendosjeje, aq e vogël, sa mezi duket,
por që unë e pashë, dhe le ta shohin dhe ata, të gjallët,
ata që s’u lëvizin as qimet e fytyrës,
le ta dijnë, se këta gurë varresh, kur i preku bari
dhe papritur kujtuan vdekjen, lëvizën!
Nëpërmjet këtyre dualizmave dhe kundërshtive “bar-varr”; “gur-myshk”; “jetë-vdekje”, autori, duke i përkitur pranë e pranë, dhe nëpërmjet mjeshtërisë së krijimit të i mazheve, i’ua zbut demosntrimet, i’ua sheshon të ndryshmet, dhe njëkohësit sikur i thotë vetes edhe neve: kujdes, jeta dhe vdekja nuk janë veçse vazhdim i njëra-tjetrës. Kështu edhe mefizika, kjo botë e paprekshme që funksionon jashtë logjikës, nuk është vetëmse vazhdimi i saj, domosdoja e saj: logjika shpirtërore. Kjo logjikë shpirtërore, është intelekti poetik.
Shpesh, nëpër reçenca, kritika, apo parathënie librash me poezi, na thuhet në mënyre shumë patetike: “Autori ka derdhur në letër gjithë shpirtin e vet.”. Kështu, harrohet a anashkalohet, ndoshta në mënyrë të paqëllimtë, krejt ajo kulturë leximi, krejt ajo sfilitje redaktimit, ajo përballje më “më të mirë e mundshme”, praktikisht anashkalohet krejt botëkuptimi i kulluar intelektual. Për të mos rënë këtë grackë, Meti Disha, ka harmonizuar me finesë këto dy botë: intelektuale dhe shpirtërore që mundet me i mbajtë poezia.
Domosdoja e një poezie të thjeshtë
“Ne nuk do të shkruajmë dot më mirë se Shekspiri.” më pat thënë para disa vitesh poetja shumë e mirë Luljeta Lleshanaku, në një workshop që zhvillonim rreth shkrimit të poezië. Po çfarë do bëjmë? Të heqim dorë? Jo. Të shkruajmë për gjërat tona. Të shkruajmë për botën tonë. Të bëhemi Shekspir të ditëve tona. Pikërisht këtë bën edhe Meti Dishas, shkruan për gjithçka që e shqetëson në botën përreth: zëri i kohës së vet.
Që në nisje na e thotë, që unë shkruaj, dhe dua të kuptohem, e njëkohësisht të ndjehem. Dhe këtë e arrin me një filozofi të thjeshtë: duke shkruar për gjëra të thjeshta. Ja një bukuri e thjeshtë dhe shumë thjeshtë e krahasueshme:
“Ajo donte të dukej e thjeshtë.
i kapte flokët mbledhur nga pas
si një vegjë filxhani që rrethon një boshllëk”
Fëmijët janë ata që i kanë gjërat e thjeshta, botën e thjeshtë, vetë simbol i thjeshtësisë:
“Çfarë është në të vërtetë një shtëpi?
fëmijëve, kur u thuhet vizatoni shtëpinë tuaj,
vizatojnë gjithmonë shtëpinë përballë.”
Nëpërmjet poezisë së tij, Meti Didha, na bën të kuptojmë që në të gjithë jetën tonë, kemi më së shumti nevojë për gjëra që nuk bëjnë bujë, për gjëra që nuk lypin me doemos një shkak të fortë. Ndër kësisoj gjërash renditet e para buzëqeshja:
Është mars dhe buzëqeshjet tona
janë modeste si rritje pensionesh,
ato zënë përherë veç 2.5 përqind të fytyrës
Ajo çka mund të thuhet në tërësi për poezitë e këtij vëllimi është se ato janë fluide, rrjedhin, imazhet janë të mbivendosura mbi njëri-tjetrin, siç vendosen në mënyrë të përpiktë tjegullat në çati, pa lejuar në përfundim asgjë që të pikojë. Me këtë vëllim, Meti Disha, paralajmëron se po vjen si një poet i mirë ndër të rinjtë e letërsisë shqipe.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëKush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar
ASHIK QERIBI
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!
Konfiteori i artistit
Fjalë të urta angleze: Miku në pushtet është mik i humbur
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme