Mbrëmë, për nder të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancer të Gjirit, në ambientet e librarisë “Dukagjini”, shtëpia botuese dhe libraria “Dukagjini” organizuan eventin “Ta kalojmë këtë sfidë edhe përmes librave”.

Eventi nisi me fjalët rrëqethëse të dekanes së Fakultetit të Filologjisë, prof. Lindita Sejdiu-Rugova, e cila, në pamundësi pjesëmarrjeje, kishte dërguar këtë mesazh: “Unë pranova të vij në këtë ngjarje kulturore me shumë kënaqësi, meqë lidhej me punën time, por edhe me gjendjen time aktuale. Pas 10 vjetësh, kanceri është kthyer përsëri...”


WhatsApp Image 2021 10 26 at 15.54.04

Fjalët e saj morën shumë duartrokitje dhe emocionuan gjithë publikun. Në këtë mesazh, ajo shtoi se donte të fliste për rëndësinë e ikjes në botën e Murakamit dhe të Pamukut për t’u larguar sadopak, aq sa munden, nga realiteti që i rrethon pacientet, duke përfshirë edhe veten.

Pastaj, fjalën e mori Presidentja e parë e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila kishte zgjedhur dy libra: “Alkimisti” nga Paolo Coelho dhe “Educated” nga Tara Westover. Ajo theksoi se thesari i lumturisë është në gjërat e vogla, që i kemi pranë në përditshmërinë tonë.

Nafije Latifi, themeluese dhe drejtore ekzekutive e organizatës “Jeta Vita”, përmendi librat e Cvajgut, që i kanë ndihmuar shumë për kalimin e kësaj sfide në gjendjen emocionale, pasi këta libra janë kryesisht me funde të lumtura, siç theksoi ajo, që një paciente ka shumë nevojë.

WhatsApp Image 2021 10 26 at 15.54.03

Profesorja universitare e Arteve Dramatike, Arbnesha Grabovci-Nixha, solli për audiencën rrëfime të grave të prekura, të mbledhura nga libra dhe revista të ndryshme. Të pranishmit duartrokitën fuqishëm, e disa u emocionuan aq shumë, saqë u rrodhën edhe lot.

Në fund, disa gra ndanë rrëfimet e tyre, shumica pozitive, që kishin kaluar këtë sfidë dhe që librat kishin qenë terapia më e mirë.