Komuna e Obiliqit ka njoftuar qytetarët se më 4 dhe 5 qershor 2026, në intervalin 08:00–17:00, do të ketë ndryshim të përkohshëm të trafikut dhe ndalim të qarkullimit të automjeteve në një segment të rrugës “Hasan Prishtina” në Obiliq.

Sipas njoftimit, bllokimi do të bëhet në kuadër të projektit për mirëmbajtjen dhe sanimin e infrastrukturës rrugore urbane, për shkak të realizimit të punimeve të natyrës inxhinierike.


Komuna ka bërë të ditur se punimet përfshijnë rregullimin dhe nivelimin e pusetave të rrjetit të kanalizimit/shkarkimit, me qëllim që ato të vendosen në kuotën e duhur projektuese të rrugës, si dhe sanimin e gropave dhe dëmtimeve strukturore në shtresat e asfaltit për të rritur sigurinë në komunikacion.

“Do të ndalohet përkohësisht qarkullimi i automjeteve në segmentin kryesor të rrugës ‘Hasan Prishtina’ në Obiliq… Ky bllokim i përkohshëm vjen si rezultat i nevojës për realizimin e punimeve të natyrës inxhinierike”, thuhet në njoftim.

Devijimi i trafikut

Për të garantuar rrjedhshmërinë e lëvizjes, Komuna njofton se qarkullimi do të devijohet përmes unazave dhe rrugëve dytësore të qytetit.

Sipas planifikimit:

  • Nga ana veriore, qarkullimi do të bëhet përmes rrugëve “Pjetër Bogdani” dhe degëzimeve lidhëse;
  • Nga ana jugore, devijimi do të bëhet përmes rrugëve “Vëllezërit Frashëri”, “Vëllezërit Gërvalla” dhe segmenteve rrethuese.

Komuna u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të tregojnë mirëkuptim, të lëvizin me shpejtësi të reduktuar, të kenë kujdes të shtuar dhe të respektojnë sinjalistikën e përkohshme rrugore të vendosur në terren, e cila orienton drejt rrugëve alternative.

Komuna e Obiliqit ka falënderuar qytetarët për bashkëpunim dhe mirëkuptim. /Telegrafi/