Pep Guardiola vlerëson futbollistët e tij pas fitores ndaj Realit

Manchester City ka marrë fitore me përmbysje ndaj Real Madridit 2-1 në një ndeshje spektakolare në Ligën e Kampionëve.
Pep Guardiola u shpreh për TNT Sports pas fitores 2-1 të Manchester Cityt ndaj Real Madridit në “Santiago Bernabeu”, një triumf i rëndësishëm në një nga stadiumet më të vështira në botë.
“Mund të ishte më mirë. Shumë e vështirë këtu. Katër ose pesë lojtarë luajtën për herë të parë në këtë stadium. Duke fituar këtu, duhet të jemi të lumtur, veçanërisht për sa i përket pikëve".
"Kemi 13 dhe tani gjithçka është në duart tona për të përfunduar mes tetë ekipeve të para. Ky është objektivi. Të fitosh këtu, sidomos pas Leverkusenit, është shumë mirë", tha Pep.
Trajneri spanjoll vlerësoi paraqitjen e lojtarëve të rinj në këtë sfidë.

“Matheus Nunes ishte shumë i mirë. Mbrojtësit e krahut po ashtu. Rayan Cherki luajti për herë të parë këtu. Nico O’Reilly pati një performancë të jashtëzakonshme".
"Jeremy Doku na ndihmoi shumë me energjinë dhe lëvizjet e tij. E nisëm me një gabim, por prisja që ata të bënin presion më të lartë. Në fakt, ranë më poshtë dhe për ne u bë më e vështirë, por e pranuam këtë ritëm".
Guardiola foli edhe për cilësitë e jashtëzakonshme të lojtarëve të Real Madridit.

“Rodrygo, Vinicius Jr, Jude Bellingham… lojtarë të shkëlqyer. Shpejtësia që ata kanë në sulm është shumë e rrezikshme. Prandaj nuk mund të qëndrosh lart, duhet të jesh i përkushtuar në mbrojtje. Në disa momente na mungoi diçka, kështu që ka ende hapësirë për t’u përmirësuar”, përfundoi Pep.
Real Madrid kaloi i pari në avantazh, por Manchester City arriti të përmbyste rezultatin para pushimit të pjesës së parë me golat e Nico O’Reilly dhe Erling Haaland, duke vulosur një fitore të rëndësishme në rrugën drejt objektivave të sezonit. /Telegrafi/


















































