Sedat Peker, njeriu kryesor i mafisë turke, po vazhdon të publikojë video teksa flet për përfshirjen e njerëzve të pushtetit në krime të ndryshme.

Njeriu i momentit që po trondit Turqinë, Peker ka publikuar edhe videon e nëntë, e cila brenda 24 orëve është shikuar rreth dhjetë milionë herë në YouTube.


Në videon e re, 49-vjeçari ka pohuar se presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, fenë po e shfrytëzon për popullizëm duke dhënë disa shembuj me Palestinën dhe shtetet e Ballkanit, transmeton Telegrafi.

sedat peker erdogan bulent yildirim Erdogan gjatë një takimi me Pekerin

Peker tregon sesi investimet kryesore të shtetit turk janë në vendet që kanë kryer krime kundër myslimanëve, si në rastin e Serbisë gjersa fjalimet e tij publike janë sikur të ishte lider i botës islame.

“Vendet e Ballkanit i kam vizituar fshat më fshat. Njerëzit e shteteve myslimane po më thonë, ‘Si është e mundur që të gjitha ndihmat dhe investimet i keni ndaluar për ne ndërsa ato i keni dërguar tek shteti që na ka përdhunuar dhe masakruar, Serbia. Shtetet ballkanike më nuk po e konsiderojnë më lider të ummetit (myslimanëve). Gjithashtu edhe tek arabët e ka humbur besimin”, tha ai.

Theksojmë se akuzat që Peker ka ngritur ndaj aleatëve të Erdoganit, duke përfshirë një ish-kryeministër, Binal Yildirim, zyrtarë të lartë dhe të afërmit e tyre, ndryshojnë nga korrupsioni dhe trafiku i drogës te përdhunimet dhe atentatet.

Ndryshe, mafiozi turk që aktualisht është në Dubai ka folur edhe për kohën që ka qëndruar në Kosovë dhe deportimin e tij për në Shqipëri nga ku ka shkuar në Maroku. /Telegrafi/