Kryetari i Partisë Guxo, Faton Peci pas takimit me presidenten Vjosa Osmani tha se po duan të besojnë që në përputhje me aktgjykimin e Kushtetueses ditët në vijim, para datës 26 korrik partitë tjera do të kenë mundësi të reflektimit dhe gjetjes së konsensusit.

Ai tha se nuk mundet në asnjë mënyrë të devijohet ose tjetërsohet vullneti i qytetarëve.


“Vullneti i qytetarëve ka qenë tepër i qartë, LVV dhe partnerët e saj të koalicionit me procesin zgjedhor të 9 shkurtit e kanë të garantuar me votën e qytetarëve dhe me Kushtetutë vetëm një pozicion, atë të kryetarit të Kuvendit”, tha ai.

Sipas tij, rrjedhimisht çdo tentativë tjetër është përpjekje për me e blloku vendin.

Duke folur për emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit ai tha se nuk mendon se çështja e emrit është arsye e problemit në esencë, pasi sipas tij, Haxhiu i ka të gjitha kredencialet për këtë pozitë.

“Dhe nuk mendoj se është praktikë e shëndoshë që partitë politike duhet me imponu pozicionin të cilën e kanë të garantuar me votë të qytetarëve dhe me Kushtetutë”, tha ai.

Peci u pyet po ashtu se çka nëse brenda 30 ditëve nuk konstituohet Kuvendit?

“Çështja është që ka paqartësi, secili do të jetë veprimi dhe nuk është lehtë i parashikueshëm se cilat do të jenë sekuencat... Në një rrethanë të tillë ekziston mundësi reale që edhe presidentja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për qartësu tutje se çka ka dashtë momentin që ka vendosur afatin 30-ditësh, kur dihet se ky afat 30-ditor momentin e bërjes publike të këtij aktgjykimi vetëm se ka kaluar 30 ditëshi i moskonstituimit të Kuvendit – nëse marrim shkas datën 15 prill,” deklaroi ai.

Ndryshe, presidentja e vendit, Vjosa Osmani edhe sot po vazhdon takimet me partitë tjera në kuadër të konsuktimeve për zgjidhjen e ngërçit politik.

Takimet e Osmanit kanë nisur sot me kreun e partisë “Guxo”, Faton Peci.

Osmani do t’i takojë edhe krerët e partive tjera, gjersa të mërkurën takoi kryetarin e LVV-së, Albin Kurti, atë të PDK-së, Memli Krasniqi, të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kreun e AAK-së, Ramush Harardinaj. /Telegrafi/