Peci: Osmani firmosi shpërbërjen e Kuvendit, propozuam 28 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve

Kryetari i GUXO, Faton Peci ka treguar se në takimin e sotëm, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka firmosur shpërbërjen e Kuvendit të Kosovë.
Ai tha se Osmani pati edhe një herë kërkesë dhe lutje ndaj të gjitha partive politike që të mbahej një seancë e radhës sot, për të adresuar disa çështje urgjente.
Peci tha se këto çështje lidhen me probleme që rrezikojnë kategori të caktuara të mbesin pa paga, si punëtorët e RTK-së dhe të tjerë.
“Presidentja bëri mirë që përsëri kërkoi dhe u lut që sot të kishim një seancë të radhës, në mënyrë që të adresonim disa prej problemeve që rrezikojnë kategori të caktuara të mbetën pa paga, sikur punëtorët e RTK-së, etj”, tha Peci.
Sipas tij, nuk ka pasur dakordim nga shumica e partive politike për t’i adresuar këto nevoja elementare, dhe si pasojë presidentja ka firmosur shpërbërjen e Kuvendit, duke hapur rrugën për zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Nuk kishte dakordim nga shumica e partive për t’i adresuar këto nevoja elementare dhe rrjedhimisht presidentja firmosi shpërbërjen e Kuvendit dhe shkojmë në zgjedhje”, theksoi ai.
Peci shtoi se gjatë diskutimeve, subjekti GUXO ka mbrojtur qëndrimin që zgjedhjet të mbahen më 28 dhjetor.
“Pat diskutime, dhe ne si GUXO kemi mbrojtur qëndrimin që të mbahen më 28 dhjetor”, u shpreh ai. /Telegrafi/


































