Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar me tone të ashpra dhe fjalor ofendues ndaj gazetarit Ermal Panduri, pas emisionit Debat Plus, ku u trajtuan pretendime për afera dhe keqpërdorime në Ministrinë e Bujqësisë.

Në një postim publik në rrjete sociale, Peci ka përdorur gjuhë fyese ndaj Pandurit, duke e quajtur ndër të tjera “qelbësirë” dhe duke e akuzuar për shpifje dhe shantazh ndaj institucioneve hetimore.


Po ashtu Peci duke e quajtur Pandurin analfabet, tha se përmes shpifjeve është bërë milioner.

“Pas një shfaqjeje teatrale, shpifjesh ordinere dhe shantazhi ndaj mekanizmave hetues e prokurorëve, në fund qelbësira tha: ‘Paramendoni Kosova me pasë SPAK'".

"Po, valla, paramendoni ku do të përfundonin analfabetët si ti, që përmes shpifjeve e shantazheve të këtij lloji janë bërë milionerë,” ka shkruar Peci në postimin e tij.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Pandurit.

Në rrjeti social Facebook, duke iu drejtuar Pecit tha se nuk është bërë milioner..., derisa, hodhi akuza ndaj Pecit se e ka kthyer politikën në biznes personal.

"Unë nuk jam bërë milioner, z. Ministër. Por nëse për ju pasuria matet me integritet, atëherë po, jam më i pasur se shumë prej jush që e keni kthyer politikën në biznes personal", shkroi Panduri./Telegrafi/