Olympique Lyon po kalon një moment fantastik forme, duke regjistruar fitoren e 13-të radhazi në të gjitha garat.

Në kuadër të javës së 22-të të Ligue 1, skuadra e drejtuar nga Paulo Fonseca triumfoi 2-0 ndaj Nice në shtëpi, duke konfirmuar formën e shkëlqyer dhe ambiciet për pjesën e mbetur të sezonit.


Me këtë sukses, Lyon ngjitet në kuotën e 45 pikëve dhe forcon pozitën e tretë në tabelë, duke rritur presionin ndaj skuadrave që renditen mbi të.

Pas përfundimit të takimit, Fonseca ishte dukshëm i emocionuar. Tifozët vendas shpalosën një pankartë me mbishkrimin “Bravo, Fonseca”, në shenjë mirënjohjeje për punën dhe rezultatet e arritura.

Trajneri portugez nuk i mbajti lotët, duke falënderuar mbështetësit për përkrahjen e vazhdueshme në këtë periudhë të artë për klubin.

Takimi shënoi edhe debutimin e sulmuesit Roman Yaremchuk me fanellën e Lyonit.

28-vjeçari u aktivizua nga stoli në minutën e 81-të, duke bërë paraqitjen e tij të parë me ekipin, në një mbrëmje që u mbyll me festë për vendasit. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app