LAJMI I FUNDIT:

Pasojat e COVID-19, bien të hyrat buxhetore dhe humbin 50 mijë vende të punës në Kosovë

Pasojat e COVID-19, bien të hyrat buxhetore dhe humbin 50 mijë vende të punës në Kosovë

Coronavirusi përveç në shëndetin publik, ka goditur rëndë edhe ekonominë e Kosovës, veçanërisht të hyrat e buxhetore të shtetit dhe në humbjen e vendeve të punës, që janë rreth 50 mijë deri më tash.

Kjo rënie e të hyrave në Doganë dhe Administratë Tatimore, pritet të vazhdojë deri në fund të vitit dhe si pasojë e pandemisë do të jetë një goditje e madhe dhe e pa riparueshme për shumë biznese në vend.

Kështu kanë vlerësuar ekspertë të ekonomisë, të cilët kërkojnë nga qeveria në largim që të marrë masa.

Drejtori i Administratës Tatimore, Ilir Murtezaj, thotë për KosovaPress, se pandemia ka krijuar pasoja të konsiderueshme në aspektin e të hyrat buxhetore për muajin mars dhe prill.

“Ne si ATK, nga data 20 mars me vendim të ministrit të Financave është bërë shtyrja ose zgjatja e afatit për deklarim të pasurisë dhe pagesë të tatimeve deri më 30 prill dhe kjo edhe si rezultat i refleksioneve të Coronavirusit, ka shkaktuar që të kemi një rënie të të hyrave për muajin mars rreth 13.6 milionë euro. Ndërsa prej 1 janari deri më 18 mars ne si ATK, kemi pasur progres të shkueshëm duke shënuar një rritje të të hyrave. Ndërkaq, edhe për muajin prill është një tempo në rënie në vazhdimësi e mos pagesës së detyrimeve tatimore dhe të shohim deri në fund të prillit se sa do të jenë pasojat në aspektin e mos përmbushjen e detyrimeve tatimore”, deklaron Murtezaj.

Murtezaj: ATK-ja mblodhi rreth 14 milionë euro më pak të hyra, kjo gjendje do të reflektojë edhe në likuiditetin e bizneseve
Lexo po ashtu Murtezaj: ATK-ja mblodhi rreth 14 milionë euro më pak të hyra, kjo gjendje do të reflektojë edhe në likuiditetin e bizneseve

Ndërsa, kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit, Skënder Krasniqi thotë se pandemia përveç të hyrave buxhetore do të shkaktojë edhe humbjen e vendeve të punës në masë të madhe.

Sipas Krasniqit, nëse nuk do të ndodhë përkrahja institucionale për vendin, deri në fund të viti do të ketë deficit buxhetor.

“Në qoftë se nuk do të përkrahët biznesi, të hyrat e shtetit do të jenë ekstrem më të vogla, edhe do të kemi rënie të punësimit shumë më të madh. Vetëm tash mund të llogaritet se kemi rreth 50 mijë vende të humbura. Në qoftë se nuk intervenon shtetit me një injeksion, këto humbje të vendeve të punës do të jenë edhe më të mëdha”, deklaron Krasniqi.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri thotë për KosovaPress, se pasojat e pandemisë do të jenë një goditje e madhe dhe e të pa riparueshme për shumë biznese.

Shatri pohon se deri në fund të vitit nuk do të mund të realizohen të hyrat e planifikuara nga Dogana dhe ATK-ja.

“Sigurisht të hyrat do të kenë një zbritje mjaft të madhe, jo vetëm në muajt sa zgjatë kjo pandemi, por edhe në muajt që vijnë pas kësaj, deri në fund të vitit dhe nuk do të mund të realizohen të hyrat e parapara. Mirëpo, edhe disa shpenzime që kanë qenë të parapara me buxhet për këtë vit, sigurisht nuk do të jenë të nevojshme të realizohen, është fjala për kategorinë e mallrave dhe shërbimet, të cilat janë ta parapara me buxhet në kushtet kur funksionon sistemi shtetëror në përgjithësi”, deklaron Shatri.

Ndërsa, qeveria në detyrë së fundmi ka miratuar një sërë vendimesh, ndër to për “Pakon Emergjente”, ku sipas Herolinda Xhuli, shefe e Kabinetit në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, në këtë mbledhje është bërë ndryshim-plotësimi i dytë që përcakton se përfitues të mbështetjes financiare sipas masës 3 të pakos do të jenë shoqëritë tregtare dhe punëdhënësit e tjerë; pra është plotësuar fjalia sipas së cilës, përpos shoqërive tregtare, përkitazi me atë se çfarë kemi deklaruar publikisht, përfitues të Pakos Emergjente Fiskale do të jenë jo vetëm shoqëritë tregtare por edhe OJQ-të, Bashkësitë Fetare dhe punëdhënës të tjerë.

Dhe në fund, pika 3 e këtij vendimi plotëson vendimin paraprak për aprovimin e Pakos Fiskale Emergjente, duke siguruar mbështetje financiare prej 300 euro për stafin mjekësor dhe mbështetës; pra përpos mjekëve dhe infermierëve që plotësojnë kriteret sipas masës 6, përfitues nga Pakoja Emergjente Fiskale, do të jenë edhe personeli tjetër mbështetës i ekspozuar ndaj rrezikut që kanë kontakt direkt me pacientë. /KP/