LAJMI I FUNDIT:

Pasagjerët në panik kur aeroplani u sulmua me armë zjarri pas arrestimit të djalit të El Chapos

Pasagjerët në panik kur aeroplani u sulmua me armë zjarri pas arrestimit të djalit të El Chapos

Pamjet dramatike kapën kaosin që po shpalosej në bordin e një fluturimi të Aeromexico kur aeroplani u godit nga të shtënat me armë zjarri që shpërthyen në një aeroport meksikan pas arrestimit të Ovidio Guzman-Lopez, djalit të lordit famëkeq të drogës, Joaquin “El Chapo” Guzman.

David Tellez, 42 vjeç, ndau një video-regjistrim në Twitter që shfaqte udhëtarët e tmerruar në bordin e fluturimit 165 të Aeromexico nga Culiacan në Mexico City të strukur në dysheme midis rreshtave të ulëseve ndërsa një fëmijë dëgjohet në sfond duke qajtur.


Tellez po fluturonte për në shtëpi me gruan dhe tre fëmijët e tyre, shtatë, katër dhe një vjeç, pasi kaloi Krishtlindjet me familjen, raporton nypost.

“Ndërsa po përshpejtonim për ngritje, dëgjuam të shtëna armësh shumë afër aeroplanit dhe atëherë u hodhëm të gjithë në dysheme”, tha Tellez.

Ndërkohë, dhuna vdekjeprurëse shpërtheu në të gjithë qytetin verior të Culiacan pas arrestimit të Guzman-Lopez, me nofkën “El Raton”, i cili është anëtar i lartë i kartelit të drogës Sinaloa që dikur drejtohej nga babai i tij, tashmë i burgosur.

Kapja e ‘mbretit’ të ri të drogës shkaktoi shkëmbime zjarri mes policisë dhe bandës kriminale, ku deri më tani kanë mbetur të vdekur 10 anëtarë të ushtrisë meksikane dhe 19 trafikantë të dyshuar të drogës.

Ndryshe, Departamenti Amerikan i Shtetit premtoi më parë një shpërblim prej pesë milionë dollarësh për këdo që zbulon vendndodhjen e Guzman-Lopezit.

Ai dyshohej se drejtonte 11 laboratorë metamfetamine që prodhonin çdo muaj rreth 2300 kilogramë drogë vdekjeprurëse.

Babai i tij, El Chapo po vuan një dënim të përjetshëm në një burg federal të Kolorados pasi u dënua për ndërmarrje kriminale dhe shpërndarje kokaine në vitin 2019. /Telegrafi/