Pas zgjedhjeve lokale, LVV rikthen në garë për deputetë 16 kandidatë që ishin për kryetarë komunash

Tashmë të gjitha partitë kanë publikuar listën prej 110 deputetëve që do të garojnë në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare që mbahen më 28 dhjetor.
Kosova vuajti për gati një vit për një Qeveri, pasi zgjedhjet e rregullta të mbajtura më 9 shkurt 2025, ku fituese doli Lëvizja Vetëvendosje - nuk ia doli të formonte qeverinë, madje as opozita nuk ishte e disponimit që të krijonte në anën tjetër një marrëveshje mes tyre.
Kështu, mbi dhjetë muaj, Kosova ka mbetur peng e mosmarrëveshjeve mes partive politike, duke humbur shumë grande ndërkombëtare dhe marrëveshje tjera të mëdha, raporton Telegrafi.
Vendi ynë më pas, më 12 tetor u fut në Zgjedhjet Lokale, të cilat përfunduan pas 9 nëntorit, atëherë kur u mbajtë edhe balotazhi, për të përcaktuar kryetarët për katër vitet e ardhshme.
Kur jemi te garat që zhvilluan kryetarët, në listat aktuale për deputetë, janë përfshirë edhe disa emra që ishin në garë për kryetar komune.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, garës për deputetë i kanë rihyrë, Hajrulla Çeku, Artan Abrashi, Ardian Gola, Taulant Kelmendi, Rufki Suma, Ilir Qeriqi, Ali Dula, Egzona Tërdevci, Filiz Mustafa, Jeton Raka, Lulzim Hetemi, Hamdi Bytyçi, Enver Haliti, Arsim Ademi, Sylejman Meholli, Valon Hoti.
Në total janë 16 kandidatë për kryetarë komunash, që tani kanë vendosur të testojnë vetën edhe në garë për deputetë. /Telegrafi/


















































