Pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka shpërthyer tension i madh brenda institucionit, duke çuar disa anëtarë të tij të kërkojnë ndërhyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) për ruajtjen e sigurisë juridike në vend.

Sipas anëtarëve të KPK-së, në mbledhjen e sotme fillimisht ishin të pranishëm 10 anëtarë, por pesë prej tyre e kanë lëshuar takimin gjatë diskutimeve. Vendimi për shkarkimin e Kelmendit u mor nga pesë anëtarët e mbetur, gjë që disa prej pjesëtarëve të Këshillit e vlerësuan si të paligjshme, me arsyetimin se nuk kishte kuorum për vendimmarrje.


Ata thanë se nuk janë njoftuar për vazhdimin e mbledhjes, ndërsa kryesuesi Ardian Hajdaraj kishte deklaruar se nuk mund të vazhdohej mbledhja për shkak të mungesës së kuorumit. Për këtë arsye, pjesëtarë të KPK-së e vlerësuan vendimin si të pavlefshëm.

Anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, në emër të kolegëve që kundërshtuan vendimin, tha se ftojnë AKI-në të vlerësojë situatën dhe të kontribuojë në ruajtjen e sigurisë juridike në vend.

Vetë Besim Kelmendi deklaroi se nuk ka marrë ndonjë vendim zyrtar për shkarkimin e tij dhe se rasti do t’i drejtohet organeve kompetente që kanë autoritet të shqyrtojnë ose pezullojnë një vendim të tillë.

Edhe anëtari tjetër, Arian Gashi, i bëri thirrje prokurorëve të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit që të vazhdojnë ushtrimin e autorizimeve të tyre ligjore, duke theksuar se shkarkimi i Kelmendit është i kundërligjshëm.

KPK sot vendosi të shkarkojë Kelmendin dhe, me propozimin e kryesuesit Ardian Hajdaraj, emri i prokurorit Agron Qalaj u paraqit si zëvendësues i mundshëm.

Shkarkimi vjen një ditë pasi Kelmendi mbajti konferencë të jashtëzakonshme, ku njoftoi se ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale. Ai i quajti shpifje akuzat ndaj tij dhe deklaroi se puna që ka bërë si gjyqtar dhe ftesa për të dëshmuar në rastin e masakrës së Reçakut janë keqinterpretuar.

Kelmendi përsëriti se asnjëherë nuk ka qenë në Reçak para vitit 2001 dhe se, sipas tij, asnjë provë nuk ekziston që e lidh me ngjarjet e masakrës.

Ai madje deklaroi se, nëse shfaqet qoftë edhe një fotografi që e vërteton të kundërtën, do të japë dorëheqje dhe do të largohet nga Kosova.