Pas reshjeve të dendura, Komuna e Drenasit apelon qytetarët për kujdes të shtuar

Komuna e Drenasit ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj qytetarëve, pas reshjeve të dendura të shiut që kanë shkaktuar vërshime në disa segmente rrugore dhe zona të ndryshme të komunës.
Sipas njoftimit zyrtar të komunës, rrugë dhe zona si Drenas–Grabovc, Çiktova e Vjetër, Qendra Zejtare në Drenas dhe qendra e Komoranit janë ndër më të prekurat nga vërshimet e shkaktuara nga sasia e madhe e reshjeve.
“Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, shumë segmente rrugore në Komunën e Drenasit janë vërshuar dhe kërkojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit të automjeteve dhe lëvizjes së këmbësorëve”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Nga autoritetet komunale bëhet e ditur se janë raportuar edhe zona të tjera të komunës të prekura nga vërshimet, ndërsa qytetarëve u kërkohet bashkëpunim për menaxhimin e situatës.
Komuna ka rikujtuar se ndërhyrjet në rrjedhat natyrore të ujit përbëjnë rrezik serioz për pronën publike dhe private. “Qytetarët janë paralajmëruar vazhdimisht që të mos prekin rrjedhat natyrore të ujit përmes ndërtimeve, mbulimit të kanaleve apo hedhjes së mbeturinave, pasi këto veprime rrisin rrezikun nga vërshimet”, theksohet më tej.
Po ashtu, Komuna e Drenasit ka paralajmëruar se ndaj ndërhyrjeve të paligjshme që kanë bllokuar rrjedhat natyrore të ujit, do të ndërmerren masa për lirimin e tyre, si dhe veprime ligjore ndaj personave përgjegjës.
“Ftojmë qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të shmangin daljet e panevojshme, të përdorin rrugë dhe zona alternative aty ku është e mundur dhe të shmangin zonat e prekura nga vërshimet deri në përmirësimin e situatës”, përfundon apeli i Komunës së Drenasit. /Telegrafi/




































