LAJMI I FUNDIT:

Paralajmëron Banka Botërore: Bota mund të hyjë në recesion të thellë ekonomik

Paralajmëron Banka Botërore: Bota mund të hyjë në recesion të thellë ekonomik

Banka Botërore paralajmëroi se ekonomia botërore rrezikon të futet në recesion këtë vit, ndërsa po ndikohet nga rritja e dobët e vendeve me ekonomitë më të mëdha.

Në raportin vjetor të Bankës Botërore, e cila jep kredi për projekte zhvillimi në vendet më të varfra, thuhet se pothuajse ka përgjysmuar parashikimin e saj për rritjen botërore këtë vit, nga fillimisht e parashikuar në 3 për qind, tashmë në nivelin 1.7 për qind.


Nëse ky parashikim rezulton i saktë, kjo do të ishte rritja e tretë më e dobët vjetore në tre dekada, duke u radhitur pas recesioneve të thella që rezultuan nga kriza botërore financiare e vitit 2008 dhe nga pandemia COVID-19 në vitin 2020.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara mund ta shmangin recesionin këtë vit – Banka Botërore parashikon se do të ketë rritje me 0.5 për qind . Dobësia botërore do të përbëjë një tjetër pështjellim për bizneset dhe konsumatorët amerikanë, që përballen tashmë me çmime të larta dhe nivele të larta të normave të interesit.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu vazhdojnë të jenë të rrezikuara nga ndërprerje të mëtejshme që mund të ketë në zinxhirin e furnizimit në rast se vazhdon të përhapet COVID-19, apo nëse ashpërsohet lufta në Ukrainë.

Evropa, një ndër eksportuesit kryesorë drejt Kinës, do të vuajë pasojat e një ekonomie më të dobët kineze.

Raporti i Bankës Botërore gjithashtu vë në dukje se rritja e normave të interesit në ekonomitë e zhvilluara, si në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, do të largojë kapitalin e investimeve për vendet më të varfra, duke dëmtuar interesat jetike të atyre vendeve.

Po ashtu, raporti thotë se në të njëjtën kohë normat e larta të interesit do të ngadalësojnë rritjen në vendet e zhvilluara, në një kohë kur agresioni i Rusisë në Ukrainë ka ndikuar në rritjen e çmimeve të ushqimeve në mbarë botën.

“Sulmi i Rusisë në Ukrainë ka shtuar kosto të reja madhore. Perspektiva është në veçanti shkatërrimtare për shumë nga ekonomitë më të varfra, ku zbutja e varfërisë është ndalur tashmë dhe qasja tek elektriciteti, plehrat kimike, ushqimet dhe kapitali pritet të vazhdojë të jetë e kufizuar për një periudhë të zgjatur”, tha presidenti i Bankës Botërore, David Malpass.

Pasojat e një rënieje botërore do të ishin veçanërisht të rënda për vendet më të varfra në rajone si Afrika Sahariane, ku gjenden rreth 60 për qind e të varfërve të botës. Banka Botërore parashikon se të ardhurat për frymë do të rriten me vetëm 1.2 për qind në vitin 2023 dhe 2024, një nivel i dobët ky që mund të shtojë nivelin e varfërisë.

“Dobësitë e rritjes ekonomike dhe mungesa e investimeve do të kenë pasoja shkatërrimtare në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, si dhe kërkesat e shtuara për shkak të ndryshimit klimatik. Përballja me përmasat e këtyre sfidave do të kërkojë gjithnjë e më shumë burime domethënëse për zhvillim dhe për furnizime për publikun botëror”, tha Malpass.

Malpass tha se krahas përpjekjeve për të gjetur financime të reja në mënyrë që t’u ofrojë më shumë kredi vendeve të varfra, Banka Botërore po përpiqet ndër të tjera të përmirësojë kushtet e kredidhënies, duke rritur kështu transparencën e kredive “në veçanti për atë pjesë të vendeve të varfra që gjenden në situatë jo të qëndrueshme borxhi”.

Raporti vjen pas një parashikimi të ngjashëm pesimist të bërë një javë më parë nga Kristina Georgieva, drejtuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, që funksionon si agjencia botërore e kredive. Duke folur për emisionin “Face the Nation” të kanalit CBS, ajo vlerësoi se një e treta e botës do të bjerë në recension këtë vit.

“Për pjesën më të madhe të ekonomisë botërore, ky do të jetë një vit i vështirë, më i ashpër se viti që lamë pas. Pse? Sepse tre ekonomitë më të mëdha – SHBA, BE, Kinë – po ngadalësohen në të njëjtën kohë”, tha Georgieva.

Banka Botërore parashikon se ekonomia e Bashkimit Evropian nuk do të rritet fare vitin e ardhshëm, pasi pati një rritje prej 3.3 për qind në vitin 2022. Raporti parashikon se ekonomia e Kinës do të rritet me 4.3 për qind, gati një pikë përqindje më pak nga parashikimi fillestar dhe pothuajse sa gjysma e nivelit që kishte publikuar Pekini në vitin 2021.

Institucioni financiar mendon se vendet në zhvillim do t’ia dalin mbanë më mirë, duke u rritur me 3.4 për qind këtë vit, nivel i njëjtë me vitin 2022, megjithëse do të jetë vetëm gati sa gjysma e rritjes së vitit 2021. Rritja e ekonomisë së Brazilit do të bjerë në 0.8 për qind në vitin 2023, ndërsa vitin e kaluar ishte në 3 për qind. Ekonomia e Pakistanit pritet të rritet me 2 për qind këtë vit, sa një e treta e rritjes së vitit të kaluar.

Ekonomistë të tjerë kanë bërë gjithashtu parashikime të zymta, megjithëse shumica e tyre jo kaq të errëta. Ekonomistët në bankën JPMorgan parashikojnë një rritje të ngadalësuar këtë vit për ekonomitë e përparua dhe për botën në tërësi, por nuk mendojnë se do të ketë recension. Muajin e kaluar, banka parashikoi se ngadalësimi i inflacionit do të rrisë aftësinë e konsumatorëve për të shpenzuar dhe do të fuqizojë rritjen në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera.

“Rritja botërore do të bjerë, por nuk do të ndalet”, thotë raporti i bankës JPMorgan. /VoA/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Shije italiane në zemër të Prishtinës - Vapiano hapet së shpejti

Shije italiane në zemër të Prishtinës - Vapiano hapet së shpejti

Foleja
Produkte natyrale, vegane dhe organike për kujdesin e lëkurës - My Skin Project

Produkte natyrale, vegane dhe organike për kujdesin e lëkurës - My Skin Project

My Skin Project
50 brende botërore dhe 60 kuzhinierë pjesë e panairit Horeca - Frigo Deluxe

50 brende botërore dhe 60 kuzhinierë pjesë e panairit Horeca - Frigo Deluxe

Frigo Deluxe
Nxitoni, vetëm edhe 4 vende të lira në kursin intensiv për kamerë “From Zero to Hero”

Nxitoni, vetëm edhe 4 vende të lira në kursin intensiv për kamerë “From Zero to Hero”

Pixels
Gjithë ke lakmu me pas banesë n'deti?

Gjithë ke lakmu me pas banesë n'deti? "Holiday In 2" është vendi ideal

Edil Project
Kush përfiton nga ulja e çmimit të energjisë elektrike?

Kush përfiton nga ulja e çmimit të energjisë elektrike?

Ekonomi
Kalo në kategori