Paqe mes Drenicës dhe Llapit në "Bajram Aliu"

Drenica dhe Llapi ndanë pikët në një ndeshje me shumë luftë, tension dhe pak raste konkrete, në kuadër të xhiros së parë në Superligën e Kosovës.
Takimi nisi me kujdes nga të dyja palët, me llapjanët që në minutën e 30-të kishin iniciativën më të madhe, por vendasit u treguan të rregullt në mbrojtje.
Drenica rrezikoi në minutën e 40-të me një harkim në shtyllën e dytë, por mbrojtja e Llapit evitoi disavantazhin.
Në fundin e pjesës së parë u shtua dinamika. Portieri i Drenicës, Kenan Haxhihamza, u dallua me një pritje të bukur pas goditjes së Hasan Hysenit (44’).
Pak çaste më parë kishte tentuar edhe Kreshnik Uka për kuqezinjtë, por pa sukses. Pjesa e parë u mbyll 0-0.
Në pjesën e dytë Llapi u hodh më i rrezikshëm. Hyseni provoi nga distanca në minutën e 49-të, por topi përfundoi mbi portë. Mysafirët kërcënuan sërish në minutën e 64-të, kur debutuesi Gnapi priti një asistim në zonë, por Haxhihamza reagoi në kohë.
Në dhjetë minutat e fundit, loja u shua nga frika për të mos pësuar, më shumë sesa për të shënuar.
Në minutën e 88-të Drenica pati një goditje dënimi të rrezikshme me Ukën, por tentativa e tij përfundoi shumë lart.
Deri në fund nuk kishte gola dhe dy ekipet u desh të pajtohen me nga një pikë. /Telegrafi/


















































