Një aeroplan i kompanisë ajrore Delta Airlines është detyruar të kthehet urgjentisht në aeroportin ndërkombëtar të Los Angeles.

Kjo ndodhi pasi njëri nga motorët e tij u përfshi nga flakët gjatë ngritjes, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.


Ngjarja ndodhi në fluturimin 446, i cili ishte nisur drejt Atlantas me një aeroplan të tipit Boeing 767-400.

Dhe pamjet e publikuara thuhet se tregojnë momentin dramatik kur flakët shpërthejnë nga motori i majtë, teksa aeroplani po ngjitej mbi qytetin e Los Angeles.

Pas disa minutash në ajër, piloti ndërmori një kthim të kontrolluar dhe aeroplani arriti të ulej në mënyrë të sigurt në pistë.

“Fluturimi i Delta 446 u kthye në Los Angeles menjëherë pas nisjes, pas një sinjali për problem në motorin e majtë të aeroplanit”, ka thënë një zëdhënës i kompanisë për BBC-në. /Telegrafi/