LAJMI I FUNDIT:

“Pallati i madh i Kulturës”, dosja për artistët e survejuar: T’i tërhiqet vëmendja Vaçe Zelës!

“Pallati i madh i Kulturës”, dosja për artistët e survejuar: T’i tërhiqet vëmendja Vaçe Zelës!

“Pallati i madh i Kulturës”, mban titullin dosja e Sigurimit të Shtetit për artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit. Dosja mban numrin 126 dhe aty renditen informacione për bashkëpunëtorët brenda pallatit.

Shqiptarët në Greqi ose emigrantët ekonomikë siç quhen në dosjen e ish-Sigurimit të Shtetit, shfaqen të përmalluar për vendin, gjuhën dhe patriotët e tyre. Në takimet me artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, gjatë viteve 1970, disa të arratisur kërkojnë gjatë këtyre turneve të dinë për familjarët e tyre, duke theksuar vazhdimisht se “s’kanë asnjë qëllim të keq, veç të marrin ndonjë haber për ta”. Por, operativët ishin gjithmonë aty për t’i larguar.

Në raportim përmendet emigranti Dh. T. nga Labova e Gjirokastrës, i cili jo vetëm që i shoqëron artistët në shfaqje, por u blen edhe bileta shqiptarëve e grekëve që t’u tregojë një copëz Shqipërie në skenë. Në fund të takimit, ai i rrëfen grupit shqiptar të artistëve dëshirën e tij të madhe për t’u kthyer, qoftë dhe një herë në vend të tij, e të mos ndahet nga kjo jetë pa e shkelë tokën amë.

Kritikat që shoqëronin artistët gjatë këtyre udhëtimeve ishin nga më absurdet. Dëshira për të rrëmbyer një gotë uzo, për të porositur në hotel një shampon, apo për të bërë një shëtitje në orët e vona, konsideroheshin deri edhe si akte fashiste. Nga më rebelët e grupit, që nuk u falnin lehtësisht operativëve të sigurimit grimat e pakta të  lirisë, ishin Vaçe Zela dhe Besim Zekthi. Por, agjentura ua kthen “haraçin” duke i kritikuar në raportet e tyre për udhëtimin në Greqi të dhjetorit të vitit 1977 e qëndrimin e zgjatur me përkthyesin K. G. Ky i fundit, siç ata theksojnë në dosje, do të mundohej t’u merrte informacione në tym dhe ndonëse kishte tentuar t’i ofronte këngëtares një dhuratë ajo nuk kishte pranuar, prandaj kërkohej që Zelës t’i tërhiqej vërejtja. /ABC News/