Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka hapur sonte zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit gjatë një tubimi në Prishtinë.

Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj, tha se partia po prezanton planin e saj për zhvillimin e Kosovës në çdo sektor, duke përfshirë mbështetjen për fëmijët, rininë dhe të gjithë qytetarët që punojnë dhe meritojnë një jetë dhe pagë dinjitoze.


Lekaj theksoi rëndësinë e ekipit të përkushtuar të AAK-së dhe lidershipin e kryetarit Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër, duke theksuar se qytetarët duhet të votojnë për listën e partisë me numrin 129.

“Me listën më të mirë zgjedhore, me ekipin tonë dhe me kryetarin Ramush Haradinaj, prezantuam planin tonë për zhvillimin e Kosovës. Do të qëndrojmë krah fëmijëve, krah rinisë dhe krah secilit qytetar që punon dhe meriton një jetë të dinjitetshme. Aleanca është krah teje Kosovë, gjithmonë!”, shkroi Lekaj në postimin e tij në Facebook.

Tubimi shënoi fillimin e një faze intensive të fushatës së AAK-së, ku do të prezantohen objektivat dhe programi zgjedhor për qytetarët e Kosovës.