“Ndoshta është ky vendim i vonuar, por sidoqoftë nëse përkryhet nuk është vonë. Ky mision është i përkryer. Kjo pjesë e territorit të Kosovës tani është nën kontrollin e Kosovës. KFOR-i është prezent atje. Për gjithë ato vite ka qenë një vend ku kanë lëvizur njerëz të padëshiruar, kanë lëvizur bandat e ndryshme, kemi pasur lëvizje të mallrat e kontrabanduar dhe asgjë nuk kemi pasur nën kontroll. Tani e kemi kontrollin. Kontrollojmë kufijtë e shtetit tonë, kontrollojmë qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave. Kjo na bënë që të punojmë edhe më tepër që ta zgjidhim edhe problemin politik të veriut, që në muajt e ardhshëm ta kthejmë edhe këtë pjesë nën kontroll”, ka thënë Pacolli në një intervistë për Albanian Screen, ndërsa transmeton Zëri.

Zëvendëskryeministri e cilëson të paligjshëm qëndrimin e zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë në Kosovë dhe paralajmëron ballafaqimin e tyre me ligjin. Ai thotë se Beogradi duhet t’i kthehet tryezës së bisedimeve në mënyrë të civilizuar dhe të mos ëndërrojë se do të ketë kthim prapa.


Pacolli thotë se tani masat e reciprocitetit me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën të vendosura nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë po zbatohen 100 për qind në tërë territorin e Kosovës. /Telegrafi/