LAJMI I FUNDIT:

Osmani: Nekibe Kelmendi ishte shembulli i gruas së pathyeshme, nuk rreshti së punuari për liri e pavarësi

Osmani: Nekibe Kelmendi ishte shembulli i gruas së pathyeshme, nuk rreshti së punuari për liri e pavarësi

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka përkujtuar ish deputeten Nekibe Kelmendi në dhjetëvjetorin e vdekjes, duke thënë se është shembulli i gruas së pathyeshme.

Osmani në një postim në Facebook shkruan se ish deputetja Kelmendi njëra ndër juristet e para në Kosovë, gjatë gjithë jetës së saj nuk reshti së punuari për ta mbrojtur të drejtën e Kosovës për të qenë e lirë dhe e pavarur.


Lexoni të plotë postimin:

Dhjetë vjet më parë kaloi në amshim znj. Nekibe Kelmendi. Ajo ishte njëra ndër intelektualet më të shquara të Kosovës dhe veprimtare e paepur për pavarësimin e vendit tonë.

Si njëra ndër juristet e para në Kosovë, gjatë gjithë jetës së saj nuk reshti së punuari për ta mbrojtur të drejtën e Kosovës për të qenë e lirë dhe e pavarur.

Si model i gruas së emancipuar dhe të guximshme, ajo e gëzoi respektin e të gjithëve për përkushtimin e saj për jetësimin e shtetit të Kosovës.

Znj. Kelmendi dha shembullin e gruas së pathyeshme, e cila pavarësisht vështirësive dhe sfidave nuk u dorëzua asnjëherë, madje edhe atëherë kur fati tragjik i saj dhe i Kosovës, bëri që ajo të humbte bashkëshortin dhe dy djemtë. Këtë humbje ajo e shndërroi në mjet qëndrese e në mjet për bashkëveprim politik.

Ajo gjeti forcën që humbjen ta shndërronte në motivim për punë edhe më të madh për idealin e saj e të qytetarëve të saj. Ajo nuk u dorëzua para asnjë vështirësie. Shembulli i saj për ruajtjen e sistemit unik të gjyqësorit në Kosovë sot e kësaj dite mbetet njëri ndër shembujt e vyer për jetësimin e shtetësisë së Kosovës.

Sot Kosovës i duhen gra e burra të dinjitetshëm e me integritet sikur Nekibja. /Telegrafi/