Osmani kujton masakrën ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot viktimat e tri familjeve llapjanë të vrarë nga forcat serbe në pranverën e viti 1999.
Osmani, në një postim në Facebook, ka thënë se 16 anëtarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, në mesin e të cilëve fëmijë e gra u shuan mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, më 28 mars 1999, në Podujevë.
“Ata ishin fëmijë që mbanin lodrat në duar dhe nëna që i përqafonin fort, duke u përpjekur t’i mbronin nga e keqja. Por, krimi kishte fytyrë, kishte uniformë dhe u bë me urdhra shtetërorë për t'i shfarosur pa dallim moshe e gjinie. Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu është dëshmi e strategjisë së organizuar të një regjimi që kreu krime të paimagjinueshme mbi popullin shqiptar”, ka shkruar Osmani, transmeton Telegrafi.
“Pa drejtësi, plagët mbeten të hapura dhe dhimbja përsëritet brez pas brezi. Ne nuk harrojmë, ndaj nuk ndalemi së kërkuari drejtësi për ta dhe për mijëra viktima të tjera të gjenocidit serb në Kosovë”, ka shkruar Osmani. /Telegrafi/

















































