LAJMI I FUNDIT:

Osmani kujton avokatin Bajram Kelmendi dhe djemtë e tij, kërkon të vendoset drejtësia

Osmani kujton avokatin Bajram Kelmendi dhe djemtë e tij, kërkon të vendoset drejtësia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar avokatin Bajram Kelmendi dhe djemtë e tij Kastriotin dhe Kushtrimin në 25 vjetorin e vrasjes nga forcat serbe.

“Njëzet e pesë vjet më parë, Kosova humbi luftëtarin për të drejta të njeriut, avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin. Një ditë pasi që u rrëmbyen nga shtëpia e tyre nga forca të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, u ekzekutuan mizorisht”, ka deklaruar Osmani.


Osmani ka thënë se autorët e këtij krimi duhet të vihen para drejtësisë.

“Në këtë përvjetor, riafirmojmë përkushtimin tonë për vënien e autorëve të krimit para drejtësisë për vrasjen e avokatit Kelmendi dhe djemve të tij. Ai bëri një jetë të tërë në mbrojtje dhe kërkim të drejtësisë, ndaj i detyrohemi vendosjes së drejtësisë”, u shpreh presidentja.

Presidentja ka shtuar se veprimtaria e avokatit Kelmendi mbetet trashëgimi e çmuar për ne dhe për brezat.

“Qoftë i përhershëm kujtimi për Bajram Kelmendin dhe dy djemtë e tij”, tha Osmani. /Telegrafi/