Osmani feston Ditën e Falënderimeve me ushtarët amerikanë në Bondsteel

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar sot Ditën e Falënderimeve, duke e shfrytëzuar festën për të shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës ndaj forcave amerikane që shërbejnë në vendin tonë.
Përmes një postimi, Osmani ka bërë të ditur se ka vizituar kampin Bondsteel, ku është bashkuar me ushtarët amerikanë për të shënuar këtë ditë të rëndësishme në kulturën e SHBA-së.
Presidentja tha se ushtarët amerikanë kanë qenë pranë popullit të Kosovës “në ditët më të vështira dhe në ditët më të mira”, duke nënvizuar rolin e tyre jetik në ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
“Sot, në Festën e Falënderimeve, pata nderin t’u bashkohem sërish në kampin Bondsteel për t’ua shprehur mirënjohjen tonë për kontributin e tyre për paqe dhe siguri në Kosovë dhe përtej”, tha Osmani.
Kjo vizitë rikonfirmon edhe njëherë e marrëdhëniet e ngushta midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat Osmani i ka vlerësuar vazhdimisht si partnerite strategjike dhe të pazëvendësueshme. /Telegrafi/


















































