Nga: Agron Islami
Njëra ndër ngjarjet më të përfolura, por më të pa trajtuara profesionalisht në histori-shkrimin shqiptar, është edhe pjesëmarrja e shqiptarëve në frontin osman gjatë Luftës së Parë Botërore (1914-‘18). Me shumë të drejtë, shtrohet pyetja pse ndien nevojë shqiptarët të marrin pjesë në një luftë që në kushtet e logjikës së sotme mund të konsiderohet një “luftë e huaj”. Aq më shumë që, në narrativen e opinionit të përgjithshëm, osmanët janë pushtuesit pesëshekullorë.
Si nisi Lufta e Parë Botërore?
Vrasja e princit të kurorës austro-hungareze dhe gruas së tij nga një nacionalist serb në Sarajevë, më 28 qershor 1914, është vetëm njëri nga shkaqet që justifikon hapjen de facto të një lufte zinxhirore, që në historiografi njihet si Lufta e Parë Botërore. Kjo sepse arsyeja e vërtetë e kësaj ngjarje lidhet me luftën për dominim ekonomik dhe politik të Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Italisë. Kështu, më 1879 Gjermania me Austro-Hungarinë krijuan Aleancën e Dyfishtë dhe, më 1882, këtij blloku iu bashkua edhe Italia. Synimi ishte që të shtronin ndikimin në rajonet përreth dhe të krijonin koloni jashtë kontinenteve të Evropës dhe Amerikës. Tendencën e këtyre të fundit e kundërshtuan Britania, Franca dhe Rusia, të cilat në një mënyrë ishin pajtuar për ndarjen e resurseve të botës. Franca, më 1893, kishte bërë marrëveshje me Rusinë. Kjo marrëveshje u pasua edhe me Anglinë (më 1904), ndërsa më 1907 Britania nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Rusinë. Kështu, natyrshëm u formua Aleanca e Trefishtë midis Anglisë, Francës dhe Rusisë, e cila njihet si blloku i Antantës. Dhe, kur ndodhi atentati në Sarajevë, palët ishin të gatshme për luftë. Si rrjedhojë e eliminimit të princit të kurorës austro-hungareze dhe gruas së tij, më 28 korrik 1914 Austro-Hungaria hyri në luftë kundër Serbisë dhe Gjermania i shpalli luftë Rusisë më 1 gusht, Francës më 3 gusht dhe Belgjikës më 4 gusht. Më 4 gusht 1914, Britania i shpalli luftë Gjermanisë si pjesë e traktateve. Më vonë, pjesë e kësaj lufte u bënë edhe Japonia, Perandoria Osmane, Italia, Bullgaria, Rumania, Shtetet e Bashkuara dhe Greqia. Lufta u zhvillua në frontet e Evropës perëndimore, lindore, galiciane, ballkanike dhe jugore. Me pjesëmarrjen e Perandorisë Osmane, pati beteja të vazhdueshme në Kaukaz, Palestinë, Irak dhe në Dardanele. Nga lufta nuk shpëtoi as Azia dhe Afrika. Lufta përfundoi me fitoren e bllokut të Antantës e përbërë nga Britania, Franca dhe Rusia, kundrejt bllokut qendror të përbërë nga Gjermania, Austro-Hungari, Perandoria Osmane dhe Bullgaria.
Pse hyri Perandoria Osmane në luftë?
Në kohën kur frynin erërat e fillimit të Luftës së Parë Botërore, Perandoria Osmane sapo kishte dalë nga Luftërat Ballkanike, ku, me përjashtim të rajonit të Edirnesë, kishte humbur të gjitha tokat në Rumeli (Ballkan i sotëm). Kështu, qeveria e Turqve të Rinj (xhonturqve), të cilët më 1909 kishin rrëmbyer fronin nga Sulltan Abdylhamiti II (1876-1909), ishin të vetëdijshëm se, edhe ruajtja e neutralitetit në luftën që po vjen, nuk do t’i shpëtonte nga copëtimi i tokave që akoma ishin në juridiksionin osman. Madje, më vonë këta mësuan për nenet e fshehura të marrëveshjes Franko-Ruse (1907), që parashihnin lënien e Stambollit dhe të ngushticave nën sundimin e Rusisë. Në këto kushte medoemos duhej rreshtuar krah një fuqie, e cila do të ishte garanci për ruajtjen e territoreve. Aq më shumë që në atë kohë, mendohej se ishte e pamundur që të krijohej një miqësi me shtetet e vogla të Ballkanit të cilat pak kohë më parë kishin fituar pavarësinë nga osmanët.
Mbi këtë koncept, qeveria osmane, qysh në vitin 1911 vuri komunikim me Winston Churchillin, i cili ishte ministër përgjegjës për Marinën Mbretërore, ku i shprehen kërkesat e tyre për të lidhur aleancën osmano-angleze. Përkundër refuzimit, insistimi i osmanëve vazhdoi edhe në vitet në vazhdim. Madje, këtë aleancë synonin ta arrinin duke bërë koncesione ekonomike në favor të Anglisë. Në korrik të vitit 1913, Anglia dhe osmanët nënshkruan një marrëveshje lehtësuese ekonomike në rajonin e Kuvajtit, pastaj ndërtimi i hekurudhës Bagdad-Basra iu dha kompanive angleze. Njëherësh, anglezëve iu dha edhe e drejta për kërkime të naftës në treva të Lindjes së Mesme. Pas gjithë këtij bashkëpunimi, qeveria angleze refuzoi (janar 1914) propozimin e ministrit osman të Financës dhe ambasadorit osman në Londër, Haki Pasha, për pranimin e tyre në aleancën trepalëshe. Osmanët provuan të ofrohen edhe me francezët, por këta refuzuan edhe takimin (korrik 1914).
Fuqitë e Antantës nga osmanët kërkuan që të qëndronin neutralë. Por, këta të fundit ishin të vetëdijshëm se anglezët në Lindje dhe rusët në Veri përbënin një rrezik serioz për Perandorinë Osmane. Kështu, u synua që të bëhet një afri me Greqinë dhe Bullgarinë, që dikur ishin sanxhaqe osmane, por kontestet e hapura me Greqinë për ishujt në Egje, si dhe pretendimet të Bullgarisë për trevat e Edirnesë, nuk sollën ndonjë marrëveshje.
Pas gjithë këtyre tentativave, qeverisë osmane nuk i mbeti gjë tjetër veçse t’i nënshtrohej presionit për t’iu bashkuar frontit gjermano-austro-hungarez, që ishin bashkuar karshi Britanisë së Madhe, Francës dhe Rusisë. Ishte diplomati austriak Johann von Pallavicini, ai i cili realizoi takimin me osmanët disa ditë pas fillimit të luftës (18 korrik); një ditë më vonë edhe diplomati gjerman Hans von Wangenheim realizoi një takim me Talat Pashën.
Austriakët, përveç osmanëve, synonin që në anën e tyre të tërhiqnin edhe bullgarët, në mënyrë që të pengohej bashkimi i botës sllave dhe në rast se kjo nuk arrihej, atëherë pjesërisht kjo do të bëhej nëpërmjet osmanëve të cilët akoma kishin ndikim pozitiv te myslimanët e Ballkanit – shqiptarët dhe boshnjakët. Me 22 korrik 1914, kryeministri osman, Said Halimi, u takua me ambasadorët e Gjermanisë dhe të Austrisë të cilët kërkuan bashkimin e fronteve. Më datë 2 gusht 1914, në ora 16, u arrit marrëveshja gjermano-osmane, e cila kishte validitet deri më 31 dhjetor 1918.
Pse morën pjesë shqiptarët dhe myslimanët e Ballkanit në fronin osman?
Grushti më i madh për qenësinë osmane në Ballkan ishte humbja e territoreve shqiptare dhe boshnjake, të cilat kishin një shumicë myslimane që përbënte edhe një burim të madh njerëzor për ushtrinë osmane. Kjo mungesë u bë edhe më e ndjeshme në kohën e Luftës së Parë Botërore, kur qeveria osmane nuk arrinte të mbulonte frontet e veta me burime njerëzore, përkundër shpalljes së mobilizimit të përgjithshëm. Kështu, në koordinim të plotë me aleatin, sulltani më 21 nëntor 1914 lëshoi fermanin për Xhihadin e Madh (Cihad-i ekber) dhe brenda pak ditësh myslimanët e Ballkanit u vunë në lëvizje për t’iu përgjigjur kësaj thirrjeje. Krahas sulltanit, edhe liderët shqiptarë, sikur Hasan Prishtina dhe Ferhat Draga, ishin angazhuar në rekrutimin e shqiptarëve për frontin Austro-Hungarez. Oficerët osmanë po ashtu kishin ardhur drejt tokave shqiptare që në atë kohë ishin nën okupimin bullgar dhe austro-hungarez për të tërhequr burrat shqiptarë për luftë.
Ajo çfarë shpërfaq dokumentacioni osman i kohës është se, numri më i madh i vullnetarëve myslimanë të njohur si Gynyly, duke përfshirë edhe shqiptarët që kishin marrë rrugën për Stamboll, ishin nga trevat e Kosovës së sotme, pastaj Jeni Pazarit, Prijepolit, Kumanovës, Shkupit, Manastirit, Kavallës , Dramës, Serezit, Plevlës etj., zona të cilat pas rënies së Perandorisë Osmane mbeten nën okupimin serb, bullgar, malazeze e grek.
Thirrja e Sulltanit për Luftën e Shenjtë përbënte mesazhin politik për myslimanët që t’i dalin në mbrojtje shtetit osman që zyrtarisht drejtohej nga sulltani, i cili ishte edhe kalif, apo përfaqësues i të gjithë myslimanëve në rruzullin tokësor. Në anën tjetër, si rezultat i bashkimit të osmanëve me paktin trepalësh, ku bënin pjesë edhe dy fuqitë që kishin nën okupim ish-trevat e Rumelisë osmane të banuara me element mysliman, inteligjencës osmane dhe ushtarake i kishte krijuar mundësi që të angazhohej direkt në rekrutimin e myslimanëve të këtyre trevave.
Në Prizren, Mitrovicë, Tetovë e gjetiu ishin hapur zyre të veçanta ku bëhej regjistrimi dhe më pas niseshin drejtë frontit osman. Në vendet ku nuk kishte zyra të tilla, vullnetarët ishin lajmëruar tek autoritete ushtarake austriake dhe kërkesat e tyre drejtoheshin në Stamboll dhe më pas pasonte udhëtimi drejt frontit që përcaktohej nga komanda osmane. Pjesa më e madhe e këtyre vullnetarëve i takonin moshave të reja 19-30-vjeçare, andaj ata fillimisht trajnoheshin për luftë në kampe ushtarake në Bullgari. P. sh. në shtator të vitit 1915, koloneli i shtabit osman në Bullgari, njoftoi se në qendrat e trajnimit në Bullgari gjendeshin 14 mijë vullnetarë mysliman të Ballkanit që i takonin moshës 19-25 vjeçe.
Megjithëse ka një tendencë që gjurmët e vullnetarëve shqiptarë t’i kërkojmë vetëm në Fronin e Çanakalasë, i cili ishte njëri nga fronet më të rëndësishëm dhe vendimtare për osmanët, nga dokumentacioni osman shihet se nuk ishte në dorën e ushtarëve vullnetarë që të vendosin se në cilin front do të luftonin, andaj ata i gjejmë në Rumani, Galicë, Azarbajxhan, Kaukaz, Maqedoni, Irak, madje edhe në Birmani. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Balenat 45 tonëshe “mbrojnë” zhytësin nga peshkaqeni, pamjet bëhen virale

“Më arrestuan”, Anisa Veseli rrëfen detajet e përballjes me pronaren e klinikës që e mashtroi për të trajtuar sëmundjen e saj

Kërkesa e politikanit francez për kthimin e Statujës së Lirisë nervozon mbështetësit e Trumpit: Eja, merre

Menduan se ka vdekur ish-lojtari i tyre dhe mbajtën një minutë heshtje - klubi bullgar detyrohet të kërkojë falje pasi ai është gjallë

Gruaja gjendet e vdekur në banesën e saj në Zvicër, arrestohet si i dyshuar bashkëshorti nga Kosova

“Unë nuk flas në kamera me të e t’i them më fal” - Egli ‘sulmon’ Gjestin për ish-partneren