Programi OriginAL nuk i ka dhënë të rinjve të diasporës vetëm një përvojë dyjavore në vendet e origjinës. Ai u ka dhënë atyre një ndjenjë që shumë prej tyre nuk e kishin përjetuar më parë, ndjesinë e të qenit në shtëpi.

Përmes këtij programi edukativ dhe kulturor, të zbatuar nga GERMIN në partneritet me Global Albanians Foundation, qindra të rinj nga e gjithë bota kanë kuptuar se origjina shqiptare nuk është thjesht histori familjare, por pjesë e identitetit të tyre të përditshëm.


Çdo vit, OriginAL sjell në Kosovë, Shqipëri dhe rajon qindra të rinj të moshës 18–24 vjeç, të cilët për dy javë jetojnë, mësojnë dhe reflektojnë mbi rrënjët e tyre.

Ata ecin në qytete historike, hyjnë në institucione publike dhe kulturore, marrin pjesë në diskutime të hapura, punëtori dhe takime me profesionistë, organizata të shoqërisë civile dhe komunitete lokale. Për shumë prej tyre, ky është kontakti i parë i vërtetë me vendin e prindërve apo gjyshërve, jo si vizitorë, por si pjesë e historisë së tij.

Impacti i programit:

●Mbi 250 të rinj nga më shumë se 25 shtete kanë marrë pjesë

●Tre vendosën të rikthehen për të jetuar në vendin e origjinës (dy në Kosovë, një në Shqipëri)

●Dy pjesëmarrës fituan nënshtetësinë e Kosovës

●Dhjetëra angazhuar në praktika profesionale, iniciativa qytetare dhe projekte lokale

Një nga historitë më domethënëse është ajo e Christine. Dy vite më parë, ajo zbuloi se kishte rrënjë shqiptare. Kjo e motivoi të aplikonte në OriginAL dhe të bëhej pjesë e programit. Gjatë përvojës së saj, OriginAL i ofroi hapësirën, njerëzit dhe kontekstin për ta jetuar këtë lidhje në mënyrë të plotë.

Përmes programit, Christine nuk mori vetëm njohuri mbi historinë dhe kulturën shqiptare, por edhe një ndjenjë përkatësie që e forcoi lidhjen e saj me origjinën.

Historia e Mertit, i lindur dhe i rritur në Turqi, pjesë e gjeneratës së tretë të diasporës me origjinë nga Kosova, tregon po ashtu fuqinë e programit.

Përmes një giveaway, ai pati mundësinë të prekë nga afër historinë dhe kulturën e vendit të familjes së tij, duke e kuptuar më qartë identitetin dhe origjinën e tij.

Rrëfimi i Aurela Selimit nga Parisi dhe Kërçova pasqyron gjithashtu lidhjen e drejtpërdrejtë me rrënjët dhe komunitetin. Ky program shndërrohet në një pikë takimi mes historisë personale, përkatësisë dhe miqësive që vazhdojnë edhe sot.

OriginAL tregon se kur të rinjve u jepet hapësirë për të njohur origjinën e tyre, ata nuk kthehen vetëm me kujtime. Ata kthehen me vendime, angazhim dhe lidhje të reja me vendin që e quajnë të tyren. Këto histori suksesi krijojnë ura të qëndrueshme mes brezave, vendeve dhe së ardhmes. /Telegrafi/