Organizata “You Can Do” kërkon mbështetje për pajisjen e të rinjve të verbër me syze të mençura

Organizata “You Can Do” ka njoftuar se është duke kërkuar mbështetje për një iniciativë që synon pajisjen e të rinjve të verbër me teknologjinë më të avancuar të syzeve të mençura, të cilat u mundësojnë orientim më të lehtë dhe rritje të pavarësisë në jetën e përditshme.
Në një intervistë për Telegrafin, kryetari i organizatës, Jusuf Fazliu, tha se këto syze të mençura i ndihmojnë personat e verbër në orientim në hapësirë, leximin e teksteve shkollore e universitare, njohjen e valutave të ndryshme dhe kryerjen e aktiviteteve të përditshme pa asistencë të jashtme. Për të prezantuar sa më qartë funksionalitetin e tyre, organizata planifikon realizimin e një videoje informuese, e cila do të paraqitet para bizneseve shqiptare në Zvicër.
“Atëherë, këto janë syzet e mençura, të cilat janë në gjuhën shqipe; edhe e vetmja Republikë Çeke i ka në gjuhën shqipe, të cilat i prodhon. Do të thotë, përmes këtyre syzave personat e verbër kanë mundësi të jenë të pavarur dhe s'kanë nevojë që t’u shërbejë askush apo të lëvizin me asistencë”, tha ai.
“Këto syze, fatkeqësisht, kanë një kosto shumë të lartë, rreth 3,535 euro, dhe kjo paraqet problem që një person i verbër t’i sigurojë vetë”.
“Andaj, bëjmë thirrje dhe kërkojmë nga njerëzit e vullnetit të mirë që të na ndihmojnë, së paku për këta të rinj, studentë, dhe dy-tre persona që jetojnë vetëm, që të mund t’ua sigurojmë këto syze dhe ata të jenë të pavarur.”
“Unë jam duke mbajtur një trajnim me një trajner finlandez dhe, përmes trajnimit, jam duke u përgatitur se si t’i përdor. Trajnimi ka koston 300 euro në muaj. Do të thotë, unë që e kam gjashtë muaj që ndjek trajnimin, kostoja është 1,800 euro për gjashtë muaj”, shtoi Fazliu.
Nga ana tjetër, aktivistja Djellona Feka ka përshkruar mënyrën se si funksionon me syzet e mençura dhe se sa ia kanë lehtësuar çdo aktivitet të saj në jetën e përditshme.
“Syzat na ndihmojnë shumë. Është një ndjenjë shumë e mirë sepse na tregojnë se çka kemi përpara, skenën, nëse ka njerëz apo mjete përpara”, u shpreh ajo.
Këto syze po u ndihmojnë personave të verbër që të lexojnë edhe libra të ndryshëm, ndërsa këtë e demonstron më së miri edhe aktivisti Florjan Zeka.
“Veçoria kryesore e këtyre syzeve është leximi në kohë reale dhe përshkrimi i sendeve. Kjo i ndihmon dukshëm personat e verbër, qoftë në nevojat e tyre ditore, qoftë si studentë apo në vendin e punës. Po të mos ishin këto syze, për shembull për opsionin e leximit të librave, do të duhej të ishte dikush fizikisht për t'ua lexuar librin. Pra, në këtë rast, në mënyrë plotësisht të pavarur, arrita të lexoj”, tha ai.
Hashim Llumnica, sociolog dhe aktivist në organizatën “You Can Do”, ka demonstruar mënyrën se si syzet e mençura u mundësojnë personave të verbër identifikimin e të hollave.
“Këto syze smart janë shumë të rëndësishme për personat e verbër, meqenëse kanë opsionin për verifikimin e parave të gatshme të valutave të ndryshme. Kështu që janë të rëndësishme, të nevojshme dhe, me një fjalë, na bëjnë të pavarur neve si persona të verbër”, bëri të ditur Llumnica.
Ndërsa nënkryetari i organizatës “You Can Do”, Përparim Lubishtani, ka kërkuar mbështetje nga donatorët që së paku të mundësohet blerja e 10 syzeve të mençura për personat e verbër.
“Me këto syze smart, me të vërtetë jemi shumë të pavarur, për arsye se ne nuk mund të dalim në qytet apo të shkojmë në dyqan nëse nuk kemi shoqërues. Me këto syze mund të lëvizim shumë lirshëm. Faleminderit shumë atyre donatorëve që na ndihmojnë për t’i siguruar këto syze. Edhe pse këto syze janë të rëndësishme për të gjithë personat e verbër, ne shpresojmë që t’i sigurojmë të paktën për dhjetë persona, për disa studentë dhe disa që jetojnë vetëm, pa asnjë kujdestar në banesë apo shtëpi”, tha mes tjerash ai.
Qëllimi i iniciativës është sigurimi i mbështetjes së nevojshme për dhurimin e 10 palë syzeve të mençura për 10 të rinj të verbër, duke u mundësuar atyre të jenë më të pavarur, më aktivë në komunitet dhe më të përfshirë në proceset arsimore e profesionale, në punë dhe aktivitetet e tjera të ndryshme. /Telegrafi/


















































