Partitë opozitare, LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje si dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur, nuk po pajtohen me platformën shtetërore për dialogun me Serbinë e as me letrën e kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, që ua ka dërguar partive politike.
Katër ditë pasi Qeveria e Kosovës miratoi platformën qeverisëse për Dialog me Serbinë, edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, iu drejtua krerëve të partive politike me një letër të gjatë, të cilën ai e ka quajtur “Platformë konsensuale dhe gjithëpërfshirëse e agjendës shtetërore në Republikën e Kosovës”.
Në letër, Veseli shtjellon 5 çështje, duke i dhënë rëndësinë më të madhe dhe duke e renditur të parën – dialogun me Serbinë.
Përveç dialogut, Veseli rendit si çështje të rëndësishme edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, themelimin e Ushtrisë, Agjendën e Integrimeve Europiane si dhe reformën zgjedhore.
Siç tha Qeveria e Kosovës në platformën e saj, që fazën e re të dialogut ta udhëheq presidenti i vendit, Hashim Thaçi, njëjtë e thotë edhe Veseli në letrën e tij.
“Në funksion të këtij qëllimi është i domosdoshëm krijimi i një ekipi të përbashkët, i udhëhequr nga Presidenti i Kosovës, e në të cilin do të përfshihej roli i të gjithë liderëve politikë dhe institucionalë të vendit, si dhe personalitetet e shoqërisë civile, një praktikë kjo shumë rezultative gjatë proceseve historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova, që nga Rambujeja deri në shpalljen e pavarësisë”, thuhet në letrën e Veselit drejtuar partive politike.
Sipas Veselit, krijimi i një platforme të përbashkët për këtë çështje do të ishte garancion i një përfundimi më të mirë të procesit të dialogut me Serbinë.
Megjithatë, këtë propozim të Veselit po e kundërshton Lëvizja Vetëvendosje.
Zëdhënësja e Vetëvendosjes, Tinka Kurti tha për “Gazetën Jeta në Kosovë” që Lëvizja Vetëvendosje nuk mund t’i japë përparësi dialogut me Serbinë dhe kërkesave për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe para themelimit të Ushtrisë.
“Për dallim prej tij, ne nuk i japim prioritet dialogut me Serbinë dhe kërkesave të saj për ‘Zajednicë’ duke e lënë Ushtrinë e Kosovës si të tretën për nga renditja. Mbi të gjitha, ne i japim prioritet zhvillimit ekonomik për prodhim e punësim dhe drejtësisë kundër krimit e korrupsionit”, tha Tinka Kurti.
Ajo tutje tha që letra e Veselit ka për qëllim kryesor që presidentit Thaçi t’ia sajojë një ekip uniteti e që sipas saj është një gabim dhe dëm për Kosovën.
Ndërsa për deputeten e LDK-së, Vjosa Osmani, Kadri Veseli nuk mund të synojë të luajë rolin primar në ndërtimin e konsensusit kur është kryetar i partisë së tretë në Kuvend.
“Mendoj që ajo çka shkruhet në letrën e Veselit mund të jetë një qëndrim që ai mund ta propozojë apo prezantojë në tryezën që e ka ftuar LDK-ja. Mirëpo ai nuk mund të synojë që të luajë rol në primar në ndërtimin e konsensusit kur është kryetar i partisë së tretë apo grupit parlamentar të tretë për nga madhësia”, tha Osmani për “Gazetën Jeta në Kosovë”.
Ndërsa duke folur për platformën shtetërore për dialog të Qeverisë së Kosovës, ku ndër tjerash thuhet që udhëheqës i këtij dialogu do të jetë presidenti Thaçi, Osmani e cilëson si gabim, pasi që thotë se Kuvendi nuk ka mekanizëm mbikëqyrës mbi punën e Presidentit.
Në platformë gjithashtu thuhet se Presidenti obligohet t’i raportojë në baza të rregullta Kuvendit për rrjedhat e dialogut, por Osmani nuk e beson se kjo do të ndodhë.
“Nuk besoj që Thaçi do të raportojë në Kuvend sepse ai nuk e ka bërë këtë as sa ka qenë kryeministër edhe pse e ka pasur obligim kushtetues e lërë tash sa është president”, tha tutje Osmani.
Ajo sheh mangësi edhe në përpilimin e platformës ku sipas saj mungojnë shumë tema.
“Kjo platformë nuk përcakton asnjë nga temat që duhet të jenë prioritet, p.sh çështjet e të pagjeturave, reparacionet, dëmet e luftës, nuk ka afat kohor brenda së cilës Kosova synon t’i arrijë qëllimet e saj në këtë dialog”, tha në mes tjerash Osmani.
Ajo ka propozuar që opozita të bashkëpunojë në këtë rast dhe të mos lejojë që një platformë e tillë të kalojë në Kuvend të Kosovës.
“Nuk besojmë që do t’i marrë votat. Opozita tani duhet të organizohet mirë. Në formën e tanishme që është platforma nuk ka asnjë arsye që ne t’i ndihmojmë Qeverisë që të ikë nga përgjegjësia duke lënë një çështje kaq jetike në duar të një personi që s’i përgjigjet kurrë Kuvendit”, tha Vjosa Osmani.
Platforma e Qeverisë për Dialog me Serbinë u miratua më 19 prill, pikërisht 5 vjet pas marrëveshjes së parimeve më 19 prill 2013.
Në anën tjetër kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka ftuar partitë politike për t’u takuar të mërkurën për të diskutuar për temat politike në vend dhe për ta caktuar datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Kurse, Grupi i Deputetëve të Pavarur tha se platforma e Veselit lë shumë për të dëshiruar dhe se ajo nuk përmban asgjë tjetër përpos një thirrjeje për bashkërendim midis forcave politike dhe shoqërisë civile për ‘temat e mëdha’ të Republikës së Kosovës.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Spasovski: Problemi me Ligjin për “branitellat” quhet Afrim Gashi
Kryesuesi dhe anëtarët e KQZ-së presin në takim Misionin Vëzhgues të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian
Qeveria emëron Lyra Osmanin Inspektore të Përgjithshme, kurse Avni Kastratin drejtor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës
Osmani pas takimit me zëvendës-sekretarin amerikan: Lajm i shkëlqyeshëm, Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun strategjik
Kurti publikon fotografi nga tubimi në Ferizaj: Vazhdojmë krah për krah, e cep më cep
FSK-ja shkoi në veri të vendit për një varrim, Maqedonci u zotua te KFOR-i se nuk kishte provokim
Për 24 orë raportohen dy vdekje, njëri në Prishtinë dhe tjetri në Podujevë - rastet po hetohen
Si krijohen gurët në dhëmbë dhe a “rrallohen” dhëmbët pas pastrimit te stomatologu?
Kuvendi i Kosovës pezullon punën një ditë para hapjes së fushatës zgjedhore
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Elon Musk nuk është fans i Liverpoolit, por i rivalit të tyre më të madh në Ligën Premier
Trump paralajmëron 'pushtimin' e Grenlandës, vjen reagimi i kryeministrit të ishullit
Zarf i zi në Big Brother VIP Albania 4
Përmasa gjigante: Granit Xhaka në mbështetje të Gjestit
FSK-ja shkoi në veri të vendit për një varrim, Maqedonci u zotua te KFOR-i se nuk kishte provokim
Rina publikon fotografi krah Feros: Akoma s’ka konkurrencë, 2025