LAJMI I FUNDIT:

Operacioni policor në veri: Flasin njohësit e çështjeve të sigurisë dhe sundimit të ligjit (Video)

Operacioni policor në veri: Flasin njohësit e çështjeve të sigurisë dhe sundimit të ligjit (Video)

Forcat e Njësisë Speciale të Kosovës kanë ndërmarr sot një aksion në veri të vendit kundër personave të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion, i cili ka rezultuar me arrestimin e disa zyrtarëve policorë. Në këtë aksion janë arrestuar 19 zyrtarë policorë.

Në operacionin e Policisë së Kosovës i cili filloi në orët e hershme të mëngjesit dhe zgjati disa orë, e ku mbetën të lënduar katër persona.

Për aksionin e sotëm pati reagime të shumta nga ana e zyrtarëve serbë në Beograd. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka urdhëruar njësitë ushtarake të jenë në gjendje gatishmërie, duke paralajmëruar përfaqësuesit e Bashkimit Evropian se Serbia do të reagonte nëse njësitë e ROSU nuk do të tërhiqeshin nga veriu i Kosovës sa më parë që të ishte e mundur.


Aksioni në veri të Mitrovicës: 19 zyrtarë policorë të arrestuar, të njëjtit suspendohen nga detyra dhe ndalohen për 48 orë
Lexo po ashtu Aksioni në veri të Mitrovicës: 19 zyrtarë policorë të arrestuar, të njëjtit suspendohen nga detyra dhe ndalohen për 48 orë

Pavarësisht këtyre reagimeve, njohës të sigurisë, përfaqësues të organizatave që monitorojnë sistemin e Drejtësisë në Kosovë dhe njohës të çështjeve politike në vend e kanë cilësuar si të duhur këtë aksion, duke kërkuar që të ketë në vazhdimësi operacione të tilla kundër krimit të organizuar.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, ka thënë për Telegrafin se aksioni i sotëm i Policisë së Kosovës është për t’u përshëndetur.

Islami ka thënë se pavarësisht punës së duhur që ka kryer Policia e Kosovës, ky operacion është gjysmak.

“Operacioni policor i sotëm është për t’u përshëndetur për shkak të profesionalizmit të Policisë së Kosovës, vendosshmërisë së saj, në kryerjen e punës në përputhje të plotë me ligjin. Pra, Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorit ka kryer një operacion, me një varg arrestimesh të personave të dyshuar për krim të organizuar dhe korrupsion. Por, një aksion i tillë ku kanë hyrë mallra të padoganuara me mjete të rënda, mendoj që është gjysmak. Kjo për shkak se këto mallrat që kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe ata që i kanë blerë mallrat në mënyrë të kundërligjshme dhe të padoganuar do të duhej të arrrestoheshin. Pse nuk janë arrestuar ata tek të cilët ka shkuar malli?”, ka thënë Islami, për Telegrafin.

Ndër të tjera ai ka thënë se askuh nuk duhet t’i jap konotacion politik këtij aksioni, për shkak se në mesin e të arrestuarve ka edhe shqiptarë, boshnjak e nacionalitete tjera.

“Mendoj që ky operacion ka qenë i suksesshëm dhe unë uroj që në të ardhmen këto operacione të shtrihen në gjithë Kosovën, dhe të mos lejohet që tash e tutje të lulëzoj krimi. Ndërsa, sa i përket reagimit serb, kjo është e natyrshme, sepse çdo veprim i instucuineve tona për Serbinë është i paparanueshëm, për shkak të tendencës së saj që ta destabilizojë Kosovën, dhe veprimet e saj janë agresive me rritjen e infulencës ruse në Ballkan”, ka theksuar Islami, duke shtuar se edhe deklaratat e Rusisë kësaj radhe kanë qenë jo serioze.

“Ky rast ka qenë kryekëput kundër krimit të organizuar dhe nuk ka pasur të bëjë fare me politikën. Edhe për shkak të rastit që është arrestuar një punëtor rus në emër të UNMIK-ut ai duhet të jap sqarime se pse është ndodhur në atë pjesë. Pra deklaratat e Serbisë dhe Rusisë janë jo serioze”, ka thënë ai.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka thënë për Telegrafin se rasti i sotëm është dëshmia më e mirë se kur ka vullnet politik, Kosova ka resurse dhe mundësi të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Sipas tij, çdo rast kur institucionet shtetërore permes ushtrimit të funksioneve të tyre kanë qëllim forcimin e sundimit të ligjit sigurisht se duhet ofruar përkrahje dhe mbeshtetje.

“Luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe veprimtarive tjera kriminale në çdo pjesë të territorit të Kosovës është obligim kushtetues dhe ligjor. Çdo rast kur institucionet shtetërore permes ushtrimit të funksioneve të tyre kanë qëllim forcimin e sundimit të ligjit sigurisht se duhet ofruar përkrahje dhe mbeshtetje. Rasti i sotëm është dëshmia më e mirë se kur ka vullnet politik, Kosova ka resurse dhe mundesi ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Sikurse qytetarët presin që aksione të tilla, që bazën e kanë në luftimin e dukurive negative, duhet të ndodhin çdo herë kur cenohet rendi dhe ligji. Poashtu aksione të tilla duhet të ndodhin edhe në Prishtinë dhe qytete tjera, edhe ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë, kur ata shkelin ligjin”, ka thënë ai.

Miftaraj ka thënë se komuniteti serb në atë pjesë manipulohet çdo herë nga aparati shtetëror në Serbi për interesa politike.

“Nuk është risi kur qytetarët e Republikës së Kosovës nga komuniteti serb manipulohen nga aparati shtetëror në Serbi për interesa politike ditore. Rasti i sotëm ëshë dëshmi se në rastet kur ka koordinim dhe bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, Kosova mund të luftoj krimin edhe në atë pjesë të Kosovës, përderisa Serbia vetëm mund të bëjë deklarata politike të cilat nuk merren seriozisht nga bota e qytetëruar”, është shprehur ai.

Ndërsa sipas analistit politik, Belul Beqaj, thotë se sikur reagimet sovrane të pushtetit për të siguruar sundimin e ligjit të ishin ndërmarrë me kohë, aksioni sotëm do të kishte karakter rutinor.

Ai në një deklaratë për Telegrafin ka theksuar se angazhimi i madh i forcave tregon se shkalla e krimit dhe korrupsionit është në përmasa shqetësuese.

“Veriu i Kosovës një kohë të gjatë është shndërruar në oazë të krimit. Sikur reagimet sovrane të pushtetit për të siguruar sundimin e ligjit të ishin ndërmarrë me kohë, aksioni sotëm do të kishte karakter rutinor. Por, fakti se krimi dhe korrupsioni është toleruar me vite, ky aksion ka marr përmasa alarmuese politike dhe propagandistike. Angazhimi i madh i forcave tregon se shkalla e krimit dhe korrupsionit është në përmasa shqetësuese. Kjo është dëshmi se krimi dhe korrupsioni ka qenë i paprekshëm shumë gjatë. Prandaj në vend se të flitet për suksesin e Policisë për arrestimin e shkelësve të ligjit, flitet për shqetësimin e serbëve në veri, për shkak të ndërhyrjes së policisë”, është shprehur ai.

Sipas tij, ky aksion mund të ketë prapavijë politike të akorduar mes Vuçiqit dhe Thaçit, që për synim ka ndarjen e Kosovës.

“Ngritja e nivelit të gatishmërisë ushtarake në nivelin më të lartë në Serbi, më bënë të dyshoj se, krahas luftës kundër krimit dhe korrupsionit, ky aksion e ka edhe prapavijë politike të akorduar mes Aleksandar Vuçiqit dhe Hashim Thaçit, që ka për synim krijimin e klimës së frikës që si epilog përfundimtar duhet ta ketë ndarjen e Kosovës. Nga vrasja e pazbardhur e Oliver Ivanoviqit, veriu po testohet intensivisht në forma të ndryshme, për qëllimin e vërtetë të dialogut. Deklarata e fundit e Hashim Thaçit për bashkim kombëtar tregon qëllimin e vërtetë të dialogut, ndërsa bisedat e deritanishme kanë qenë farsë. Tensionimi i gjendjes do të jetë detyrë e pushteteve, ndërsa spin-doktorët do t’i fryjnë vazhdimisht këtij qëllimi”, ka thënë ai.

Ndryshe për aksionin e Policisë në veri, kanë reaguar edhe krerët e shtetit.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas aksionit në veri, ka thënë se në dekadën e dytë të Republikës së Kosovës s’do të ketë vend për krim të organizuar dhe ata që merren me aktivitete të kundërligjshme do të përfundojnë prapa grilave. Ai ka theksuar se institucionet e rendit dhe ligjit kanë nevojë për besim dhe përkrahje maksimale të tërë shoqërisë në luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria e Serbisë nuk duhet të synojë minimin e përpjekjeve për luftimin e krimit të organizuar. Ai ka nënvizuar se forcimi i sundimit të ligjit është interes thelbësor i vendit dhe rajonit dhe se krimi i organizuar e kontrabanda janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për progresin e përbashkët, të cilat nuk duhet të mbështetet mbi bazën e përkatësisë etnike dhe të çfarëdo baze tjetër.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se askush nuk do të shpëtoj nga dora e ligjit, përfshi ata njerëz që kanë abuzuar duke mbajtur uniformë e poste zyrtare të shtetit të Kosovës.

Ndërsa pas e operacioneve të sotme të Policisë së Kosovës dhe arrestimeve në veri, një deklaratë ka dhënë edhe Bashkimi Evropian.

Maja Kocijançiq zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se operacionet e policisë së Kosovës duhet të jenë në përputhje me ligjin.

Kocijanciq ka theksuar se “respektimi i sundimit të ligjit, përfshirë prezumimin e pafajësisë, është ajo për të cilën është e angazhuar fuqimisht BE-ja. Operacionet e policisë duhet të sjellin besim në ligj në të gjitha komunitetet. Ata duhet të forcojnë dhe jo të dobësojnë përpjekjet për normalizim.e BE beson se më shumë bashkëpunim policor dhe gjyqësor është i nevojshëm nga të gjithë aktorët dhe me respekt të plotë për marrëveshjen e Brukselit”.

Kurse sipas KFOR-it, aksioni i Policisë së Kosovës në veri nuk është i drejtuar kundër serbëve, por kundër atyre që akuzohen për korrupsion dhe krime./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Arrestohet një person Kuçovë, djali i tij në kërkim - përgatisnin përzierje vajrash ndërsa i shihnin si vaj ulliri bio

Arrestohet një person Kuçovë, djali i tij në kërkim - përgatisnin përzierje vajrash ndërsa i shihnin si vaj ulliri bio

Lajme
Aksident i rëndë në Suharekë, vdes një person

Aksident i rëndë në Suharekë, vdes një person

Kronika e Zezë
McKee: Nuk pres që SHBA-ja të ndryshojë qasje ndaj partnerëve evropianë, përfshirë Kosovën

McKee: Nuk pres që SHBA-ja të ndryshojë qasje ndaj partnerëve evropianë, përfshirë Kosovën

Lajme
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Theret me thikë një i mitur në Skenderaj

Theret me thikë një i mitur në Skenderaj

Kronika e Zezë
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Lajme
Kalo në kategori