Nuk kisha asnjë dyshim, që si shumë gjëra dhe fenomene të tjera të shfaqura në këto tri dekada të jetës demokratike si “produkt importi”, do të inkorporoheshin herë natyrshëm dhe herë të sforcuara si modë, edhe në hapësirën socio-estetike, ontologjinë e sjelljes dhe kulturës shqiptare, përfshirë edhe betejën ekzistenciale për të “qenë” apo për t’u dukur i “bukur”. Nuk ka pse habitemi që kjo tendencë estetike e antropologjike është bërë një nga tendencat e forta dominuese të modës sociale.
Sidomos tejet masive dhe atraktive te femrat dhe të rinjtë. Si sociolog për të shpjeguar këtë situatë, dukuritë shoqëruese komplekse e kontroversale e kam argumentin tim, bazuar në të vërtetën universale se qytetërimi postmodern që është një “ujëvarë imitimesh” që ka përfshirë tërë njerëzimin, nuk do mund të linte jashtë përfshirjes vendin dhe shoqërinë tonë evropiane.
Pa dyshim nuk janë pak tri dekada që si shoqëri, por edhe individualisht, jetojmë në kohë të reja, thelbësisht ultramoderne, me shije estetike, synime morale, prirje sociale e dëshira individuale tejet të personalizuara. Madje, deri në kufijtë që shoqëria jonë gradualisht po shfaqet tejet tolerante dhe po tregon se i ka të pranuara në shumë raste edhe dëshirat dhe pasionet ekscentrike. Kjo do të thotë se konvencionet e “ngurta” sociale, reagimet publike e mediatike për të gjykuar apo paragjykuar si të dobishme apo të panevojshme, të tepërta, nevojën e ndërhyrjeve përmes operacioneve plastiko-estetike, për fat të mirë, janë në “rënie”. Gjykimi objektiv i shëndoshë racional dhe njëkohësisht relativist në këtë rast është i domosdoshëm.
Por, nga ana tjetër, besoj se është i nevojshëm respektimi i sensit të masës në gjykim sepse ligjërimi i idolatrizuar për vlerën, dobinë dhe negacionet e ndërhyrjeve estetike, duhet të jetë kulturalisht i nuancuar, shoqërisht i kujdesshëm dhe individualisht tolerant. Sepse jemi në momente sociale kur me sa duket, “lufta” për të qenë me çdo kusht estetikisht i pashëm, apo beteja për të ekspozuar sa më shumë të jetë e mundur “hiret e trupit”, sidomos te të rinjtë dhe femrat (si klasë gjinore e moshore) është tendencë e pakapërcyeshme, “shenjë kulturore breznore” dhe shprehje thelbësore e natyrës së jetës postmoderne. Unë besoj se pavarësisht se problemi i ndërhyrjeve estiko plastike është mendim sovran personal dhe veprim i personalizuar, besoj se nuk është keq që për këtë dukuri sociale që me sa duket ka “humbur rrugën” utilitare dhe që po “banalizohet”, mund dhe duhet të bëjmë dialog, duke qenë të përgatitur në të njëjtën kohë për të pranuar dhe përballuar “opinionin ndryshe” lidhur me këtë “kredo” social-estetike të re të shfaqur në mënyrë të papërmbajtur.
Zgjerimi i kësaj tendence medikalo-estetike ka shkaqet, arsyet e veta individuale e qytetërimore. Në disa raste, ato janë të kuptueshme dhe racionale dhe lidhen me dëshirën e natyrshme të njeriut për të ndërhyrë mbi trupin e vet, për të korrigjuar defektet estetike të lindura apo të “fituara”, si rezultat i aksidenteve të ndryshme gjatë jetës. Në fund të fundit, para se të diskutojmë për realitetin e logjikës ekzistenciale të ndërhyrjeve plastike, kaq shumë të shtuara, të përhapura gati në formën e një “mode erruptive”, duhet të nisemi nga parimi i madh human, sipas të cilit trupi i njeriut është “pronë private” dhe që është ai që ka të drejtën dhe mund të bëjë çfarë të dojë me të (përveç vetëvrasjes).
Kjo shoqëri me vlera likuide e standarde estetike të rrëshqitshme, moralisht e paqëndrueshme, ka të kombinuara ndryshe nga shoqëria shqiptare tradicionale vlerat estetike, dikur standarde, normative, të qëndrueshme të lindura apo të trashëguara, me tendencën sociale aktuale që është sfiduese dhe performancës estetike të njeriut, që shpesh i ka dhe i shfaq shijet personale si “trill” të influencuar prej modës së çastit apo tendencave estetizante kalimtare. “Epidemia” e operacioneve plastike” është një përgjigje individuale adekuate, shprehje e kuintesencës së qytetërimit të sotëm shqiptar, tek i cili, si kudo tjetër, ka filluar të shfaqet dominimi dhe “vlera e dukjes” apo më saktë e “sipërfaqësores estetike”. Jetojmë në kohëra të ndikimeve të jetës postmoderne, kur dukja e njeriut, hiret e trupit, pamja e jashtme paradoksalisht kanë filluar të kenë peshë sociale evidente, si “masë” për “vlerësimin e personalitetit” të njeriut.
Jetojmë në kohë të reja, kur me sa duket fenomeni social i sintetizuar në “pushtetin e dukjes”, fuqia e paraqitjes së jashtme dhe “imperializmi estetik” i pamjes së jashtme, kanë marrë dukshëm dhe masivisht karakter thelbësor. Madje, po shfaqen raste kur “privilegji fizik” dhe estetika e pamjes së jashtme, në jo pak raste është kthyer paradokasalisht në “privilegj social” të pamerituar. Kjo ka bërë të përgjithësuar betejën estetike për të qenë me çdo kusht i bukur, duke i dhënë spunto epidemike zhvillimit të kirurgjisë estetike dhe intervenimeve plastike. Besoj se duhet të jemi të sinqertë, sepse është fakt që në sistemin e antivlerave që shfaqen në shoqërinë tonë, ka filluar të ketë peshë sociale dhe të shfaqet patologjia e “hierarkizimit social”, duke u nisur në disa raste thjesht nga bukuria e pamjes së jashtme.
Duhet pranuar e vërteta, sipas së cilës, duam apo nuk duam, edhe njerëzit tanë janë në “kthetrat” e këtij imperializmi estetik e kulturor formal. Tendenca që i nxit njerëzit, të rinjtë e dsidomos femrat, por kohët e fundit edhe “meshkujt metroseksualë” që të bëjnë ndërhyrje plastike apo intervenime të vazhdueshme të pamjes së jashtme, është e lidhur me prirjen sociologjike të shoqërisë së sotme shqiptare, e cila nuk ka masë të sigurt vlerësimi për identitetin e vërtetë dhe “subjektivitetin thelbësor” të njeriut, që është i thellë ontologjik dhe jo aq shumë i lidhur me aksesorët estetikë dhe pamjen e jashtme. Problemi është se tendenca e ndërhyrjeve estetike dhe operacioneve plastike është në zgjerim, ajo po shndërrohet në “mani sociale” dhe shfaqet si dukuri që në jo pak raste ka pasoja shëndetësore, antropologjike e shoqëruar edhe me shfaqjen e një lloj “çoroditjeje konceptuale”, sidomos te vajzat e reja.
Sociologët dhe estetët këtë tendencë e konsiderojnë si përpjekje për individualizim, për të spikatur “fytyrën individuale”, për të “mbrojtur veten” nga rreziku i “anonimitetit” dhe “shuarjes sociale”. Jeta edhe te ne, dikur estetikisht asketë e moralisht të dogmatizuar e “puritanë”, tani ka marrë formën e “shoqërisë së qejfit” dhe “shoqërisë së spektaklit”, në të cilat dukja, pamja e jashtme është bërë paradoksalisht thelbësore. Kjo shoqëri doemos ka nevojë edhe për “aktorët” e saj. Kjo është arsyeja e këtij “agresioni estetik” të njeriut mbi veten e tij. Kjo tendencë është bërë “grackë sociale”, në të cilën kanë rënë më shpesh dhe më dukshëm të rinjtë. Unë gjykoj se te të rinjtë po krijohet “dhunshëm” nga moda dhe imitimi sipërfaqësor, koncepti i dukjes dhe i shfaqjes përmes evidentimit me çdo kusht të anës personale, të cilën ata e lidhin me nevojën e ekzistencës së të “përveçmes estetike”.
Natyrisht, kështu janë të rinjtë, këtu dhe kudo në botë. Një “luftë e madhe” zhvillohet brenda tyre dhe me “veten e tyre” duke qenë të obseduar për të gjetur me çdo kusht parametrat sa më maksimalë të bukurisë trupore, duke përplasur brenda vetes jo vetëm dëshirën frenetike për të qenë të tillë, por dhe mundësitë për ta realizuar atë. Në këtë luftë për të qenë i bukur me “çdo kusht” ndërhyrjet estetike dhe operacionet plastike jo gjithnjë janë adekuate, sepse sado estetike të jenë, ka raste kur ato japin produkt të kundërt, ngaqë tendenca e biznesit nuk i lejon që të jenë të kujdesshëm dhe bëjnë ndarjen e asaj që është e mundur nga ajo që është e pamundur.
Beteja me operacionet plastike është kthyer në një makth social, që ushqehet nga tendenca se mungesa e pamjes së jashtme, pavarësisht nga cilësitë e brendshme ontologjike, është rrezik për shfaqjen e njeriut me “pamje të rëndomtë”. Besimi se pamja e jashtme e estetikisht e bukur të ndihmon për të mposhtur “kufizimet”, “mundësitë” modeste të thelbit të personalitetit social, është bërë “karburanti” që ushqen këtë “industri” dhe epidemi masive të intervenimeve sociale me ndikime evidente në strukturën tërësore antropologjike të njeriut.
Nëse bëjmë një analizë të atyre që bëjnë transformime estetike të fytyrës, sidomos kur ato janë qëllim në vetvete dhe jo përpjekje për të korrigjuar defektet e lindura apo të “fituara” nga fatkeqësi e aksidente të natyrave të ndryshme, në mënyrë evidente kuptohet qëllimi që i nxit në këtë rrugë është dilema për t’u “dukur ndryshe nga ç’janë në të vërtetë”, apo duke menduar se “zbukurimet estetike” mund të ndihmojnë për të fshehur thelbin e vërtetë. Kjo, jo në të gjitha rastet, por sidoqoftë pamja e jashtme me “estetikë korrigjuese” apo me “intervenime kirurgjikale” nuk është e mjaftueshme për të mbuluar defektet thelbësore, ontologjike të personalitetit të njeriut.
Gjithnjë më ka pëlqyer sentenca paradigmatike e një esteti (për fat të keq nuk po e kujtoj dot emrin”, i cili thotë se “çfarë vlere ka një ball i bukur kur nuk ka tru brenda”? Pa dyshim, operacionet plastike janë bërë një mjet shtesë, i cili përdoret nga njerëzit në luftën e tyre për të “qenë dikushi”, për të “treguar veten në shoqëri” me çdo kusht duke u shfaqur me trup dhe me “fytyrë të këndshme”. Ka raste kur kjo tendencë nuk është iluzore. Sepse ka raste kur ajo funksionon, duke u konvertuar në favore personale apo benefite sociale, që shfaqen në komoditetin e siguruar përmes pamjes së jashtme në jetën private apo e shfaqur në përfitime material, financiare e sociale publike. Ashtu sikurse ka plot njerëz që nga këto aventura manjakale estetiko-kirurgjikale kanë pësur shëmtime thelbësore të shëndetit, dëmtime irreversibile të natyrës funksionale, shpeshherë tejet problematike, të kushtueshme, me pasoja të pakthyeshme.
Janë me dhjetëra raste të vajzave (sepse djemtë e kanë më pak këtë tendencë estetikokirurgjikale), të cilat pa disa ndërhyrjeve suksesive kanë pësuar zhgënjim, për pasojë edhe dëshpërim të thellë personal për veprimin e kryer me mendjelehtësi mbi trupin e vet. Pa dyshim, nuk është keq që bukuria natyrore “duhet ndihmuar”, por jo duke e masakruar atë me forma denatyruese të ndërhyrjeve brutale e antiestetike dhe kundërfunksionale. Unë nuk jam kundër për ato ndërhyrje që janë të dobishme, të domosdoshme apo edhe për kënaqësi të personalizuara estetike. Por si çdo gjë, edhe kjo tendencë sociale, që po bëhet gati masive, duhet të ketë një masë arsyetimi individual, kufiri i së cilës besoj se duhet ruajtur si kusht për identitetin personal. Në jetë kemi nevojë më shumë për “veten e vërtetë” sesa për “veten artificiale”, të sajuar me alambikime të ndërlikuara estetiko-kirurgjikale.
Pavarësisht se nga pikëpamja sociologjike, kjo tendencë e masivizuar e operacioneve plastike është shprehje elokuente e përgjithësuar e natyrës së shoqërisë së sotme shqiptare, në të cilën “forma po sundon dhe përpiqet të dominojë mbi përmbajtjen e gjërave. Kjo është arsyeja pse po shfaqet gjithnjë e më shumë tendenca e personalizuar që ka të bëjë me luftën “dhëmb për dhëmbë” për lulëzimin e “kultit të vetes”, në emër të të cilit njeriu bën gjithçka për ta krijuar këtë origjinalitet dhe kult të shfaqjes sa më të personalizuar në “pamjen e jashtme”. Është koha, natyra e shoqërisë postmoderne që ka bërë tendencë dominante dhe ka vendosur theksin te dëshirat e veçanta dhe shijet e personalizuara të njeriut duke u larguar me shpejtësi nga standardet e “modës sociale” holistike si një e tërë dhe me kufij determinantë.
Kjo shoqëri ka ligjësi të tjera morale, sociale dhe estetike. Ajo favorizon individin në unikalitetin e vet të pazëvendësueshëm, tek i cili, përveç anës së brendshme që lidhet me cilësitë e personalitetit, ndikon edhe paraqitja e jashtme, forma estetike, rrezatimi dhe interferimi social përmes gjuhës së trupit, si një nga mënyrat shumë të rëndësishme të komunikimit joverbal. Pa dyshim, jetojmë në shoqërinë më liberale të mundshme. Në këtë kontekst, besoj se tendenca e ndërhyrjeve plastike duhet parë në kompleks: si dëshirë personale, si vlerë, por edhe si vanitet. Sepse kjo kornizë sociale e shoqërisë në të cilën jetojmë, me sa duket është e përgatitur të “lejojë” çdo gjë të mundshme. Sociologët e postmodernitetit dhe filozofët e tolerancës, thonë se jetojmë në kohën kur duhen pranuar idetë, kënaqësitë, dëshirat, veshjet, ndërhyrjet estetike, duke ndaluar vetëm ato gjëra që e bëjnë njeriun “persekutor të të tjerëve”.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëUEFA vjen me njoftim për ndeshjen Rumani – Kosovë, fillojnë procedurat për atë që ndodhi në Bukuresht
Befason Blerina Kllokoqi Rugova, përmes një videoje lë të kuptohet se tani është përkrahëse e Vetëvendosjes?
Parandaloni lagështinë në dritare me një truk pesë-minutësh
"Thërriste nënë, nënë", farmacistja tregon momentet kritike të 14-vjeçarit i cili vdiq nga therja me thikë
Çfarë thotë neni 55, sipas të cilit UEFA hapi hetimet për ndeshjen Rumani - Kosovë
Dy motrat dhe baxhanakët ia zhvatin mërgimtarit 300 mijë euro
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Gjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”
Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej
"Jemi të lumtur dhe tani presim kundërshtarin e play-offit" - Muriqi flet pas fitores
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj
Kammer: Me këtë rritje Kosovës i duhen 20 vjet për të arritur te gjysma e standardit evropian