Operacion policor për fajde në Prishtinë: Arrestohen dy persona, një i shpallur në kërkim

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ka realizuar më 20 gusht 2025 një operacion policor nën dyshimin për veprën penale “Fajde”, duke arrestuar personat e dyshuar: B.F. (1977), A.F. (1986) dhe B.B. (1985).
Sipas hetimeve, të dyshuarit kanë detyruar vazhdimisht viktimën të paguaj shuma të ndryshme parash si interes për fajde.
Përmes formave të ndryshme të presionit, ata kanë kërkuar gjithashtu që viktima t’iu dorëzojë njësitë banesore që posedon në ndërtim.
B.F. është arrestuar në flagrancë teksa po pranonte paratë si interes nga fajdeja.
A.F. është arrestuar në vendbanimin e tij.
B.B. nuk është hasur në shtëpi dhe i është lënë ftesë për paraqitje në polici.
Me urdhëresë të gjykatës janë kontrolluar tri vendbanimet e të dyshuarve, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që do të përdoren në procedurën penale.
Prokurori i Shtetit pranë PTH-Prishtinë ka lëshuar aktvendim për ndalim ndaj të dyshuarve B.F. dhe A.F., ndërsa ndaj B.B. procedurat vazhdojnë.


















































