LAJMI I FUNDIT:

Omicroni ia prish planet për pushime Bill Gates-it: Po hyjmë në fazën më të rëndë të pandemisë

Omicroni ia prish planet për pushime Bill Gates-it: Po hyjmë në fazën më të rëndë të pandemisë

Bill Gates ka anuluar shumicën e planeve të tij për pushime, kjo për shkak të përhapjes së shpejtë të variantit të ri të coronavirusit i njohur si Omicron.

“Pikërisht kur dukej sikur jeta po i kthehet normalitetit, mund të futemi në pjesën më të rëndë të pandemisë”, ka shkruar Gates në profilin e tij në Twitter, transmeton Telegrafi.

Para vetëm dy javëve, në postin e publikuar në bllogun e tij me rastin e përfundimit të vitit, Gates shkroi se 2021 ka “qenë vit i pazakontë dhe më i vështiri në jetën e tij”.


Por ai theksoi se shpreson që fundi i pandemisë është në horizont, dhe se faza akute do të marrë fund deri në fund të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, duket se përhapja e shpejtë e Omicronit ka ndikuar negativisht në optimizmin e Gates. Në një seri prej shtatë postimeve në Twitter, ai tha se Omicron po përhapet më shpejtë se cilido variant tjetër i virusit, dhe se do të jetë vala më e rëndë që ndonjëherë kemi parë.

Gates tha se përhapja e shpejtë do të nënkuptonte që vala e Omicronit në SHBA do të mund të zgjaste deri në tre muaj, duke theksuar se pandemia mund të marrë fund vitin e ardhshëm nëse ndërmerren të gjithë hapat e nevojshëm. /Telegrafi/