LAJMI I FUNDIT:

OBT shqyrton kërkesën e Kinës ndaj importeve amerikane

OBT shqyrton kërkesën e Kinës ndaj importeve amerikane

OBT-ja ka caktuar një arbitër për të shqyrtuar kërkesën e Kinës për vendosjen e sanksioneve tregtare vjetore me vlerë 7 miliardë dollarë amerikanë ndaj produkteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Arbitrazhi erdhi automatikisht pasi SHBA-ja e informoi OBT-në se kundërshton nivelin e kundërmasave të propozuara nga Kina.


Kina paraqiti kërkesën e saj për kundërmasa në vazhdën e një dështimi të SHBA-së për të përmbushur një vendim të mëparshëm të OBT-së, ajo fitoi një vendim të OBT-së në vitin 2016 për një mosmarrëveshje rreth metodave të vlerësimit të përdorura nga ShBA-ja në procedurat e saj anti-dumping.

Vendimi u konfirmua më vonë nga një apel vitin e kaluar, duke vendosur 22 gushtin e këtij viti si afatin përfundimtar të zbatimit të vendimit nga SHBA-ja.

Sipas rregullave të OBT-së, nëse një vend anëtar kundërshton nivelin e kundërmasave, duhet të fillojë një proces 60-ditor gjykimi. Masa përdoret shpesh si një taktikë vonuese nga vendet e përfshira në një mosmarrëveshje për të zgjidhur çështjet e tyre përmes negociatave të drejtpërdrejta.

Megjithatë, nuk ka njoftime për asnjë plan për bisedime të drejtpërdrejta midis palës kineze dhe asaj amerikane. /Telegrafi/