Partia opozitare maqedonase OBRM-PDUKM, përmes një njoftimi ka reaguar ndaj konferencës për shtyp të kryeministrit Zoran Zaev, sa i përket raportit të ri të Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë.

Nga OBRM-PDUKM thonë se kthimi i rekomandimit të pakusht për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë në BE, është sinjal pozitiv i cili sipas tyre, duhet të rezultojë me datë konkrete për fillimin e bisedimeve, njofton Telegrafi Maqedoni.


Megjithatë, nga OBRM-PDUKM thonë se LSDM-ja premtoi se Maqedonia do të anëtarësohet në NATO dhe BE për gjashtë muaj, ndërsa tani sipas tyre, në raportin e progresit theksohet rritje e korrupsionit në vend.

"Maqedonia është vendi më i korruptuar në Evropë dhe e njëjta është thënë në raportin e transparencës që u publikua para 17 muajve. Tani fakti i njëjtë është theksuar edhe në raportin e BE-së. Maqedonia është shtet i robëruar", thonë nga OBRM-PDUKM.

Nga kjo parti gjithashtu thonë se në raportin e BE-së është theksuar edhe për joefikasitetin e qeverisë në lftën kundër krimit të organizuar dhe krimit financiar./Telegrafi/