Nxjerrja e gjuhës dhe ndalja e frymëmarrjes: Ja pse e bëjmë këtë kur shkruajmë

Kur fëmijët përqendrohen në një detyrë të caktuar, me siguri keni vënë re se rrudhin ballin, ndalin frymëmarrjen dhe nxjerrin gjuhën
Është interesante se edhe të rriturit bëjnë të njëjtën gjë - kafshojnë buzët, rrudhin ballin dhe mbajnë frymën kur duhet të kryejnë një detyrë të ndërlikuar, veçanërisht nëse për të duhet të përdorin duart. Interesant është fakti se këto gjeste janë universale, pavarësisht moshës, gjinisë apo kulturës, por nga vjen kjo reagim i pazakontë?
Një nga shpjegimet për këtë lidhje mes fytyrës dhe duarve qëndron në fenomenin e quajtur mbingarkesë nervore. Bëhet fjalë për faktin se sinjalet nga rajonet motorike të trurit, përgjegjëse për lëvizjen, mund të “derdhen” në zona fqinje. Meqenëse rajonet që kontrollojnë lëvizjet e duarve ndodhen shumë pranë atyre që kontrollojnë fytyrën dhe gjuhën, aktivizimi i një zone mund të nxisë pa dashje edhe tjetrën.
Kjo është veçanërisht e dukshme te fëmijët, sepse rrjetet e tyre të neuroneve janë ende në zhvillim, ndaj më lehtë ndodhin këto “lidhje të gabuara”. Megjithatë, edhe te të rriturit, truri di të “shfrytëzojë” zonat përreth për të përmirësuar saktësinë dhe koordinimin, transmeton Telegrafi.

Shkaqet në fazat më të hershme të zhvillimit të trurit
Një tjetër shpjegim i mundshëm për këtë sjellje lidhet me fazat më të hershme të zhvillimit njerëzor: foshnjat e nisin jetën me një kontroll shumë të kufizuar mbi gjymtyrët e tyre. Atyre u duhet kohë për të zhvilluar koordinimin dhe aftësinë për të kryer lëvizjet që dëshirojnë, por ajo që kontrollojnë shumë më mirë që në fillim janë goja dhe buzët.
Përmes tyre eksplorojnë botën dhe komunikojnë, ndaj në tru formohen lidhje të forta të neuroneve mes duarve dhe gojës. Edhe pse këto lidhje me kalimin e kohës bëhen më pak të dukshme, ato shpesh vazhdojnë të ekzistojnë në nivel nënndërgjegjësor dhe ndonjëherë shfaqen edhe në moshën e rritur. Nxjerrja e gjuhës mund të jetë gjithashtu një mënyrë që personi, në mënyrë të pavetëdijshme, të rregullojë emocionet e tij, sidomos në situata që kërkojnë përqendrim intensiv.
Sipas disa psikologëve, këto lëvizje mund të jenë shprehje e një organizimi më pak efikas neuronesh. Ndërsa disa njerëz arrijnë lehtësisht të frenojnë lëvizjet e panevojshme dhe shprehjet e fytyrës falë rrugëve të neuroneve më të “rregulluara”, te disa të tjerë reagimi është ndryshe dhe ndodhin herë pas here “rrëshqitje” të impulseve motorike.
Dallimet në “tiket nervore”
Po ashtu, ekzistojnë dallime të mëdha individuale në këto reagime, dikush, në vend që të nxjerrë gjuhën, do të trokasë me këmbë, do të shtrëngojë nofullën apo do të kafshojë buzët. Këto dallime shpesh varen nga personaliteti, mënyra e përpunimit të informacionit apo niveli i ndjeshmërisë ndaj ndikimeve të jashtme. Për shembull, personat me ankth më të theksuar shfaqin më shpesh reagime trupore më të forta dhe më të dukshme ose shprehje të fytyrës gjatë kryerjes së një veprimi që kërkon përqendrim, transmeton “Psychology Today”.
Qoftë nxjerrja e gjuhës, rrudhja e vetullave apo mbajtja e frymës, këto gjeste ofrojnë një mundësi të rrallë për të hedhur një vështrim në punën e padukshme të mendjes. Ato dëshmojnë mënyrën se si truri ynë funksionon dhe kontrollon mendimet, lëvizjet e trupit dhe intensitetin e emocioneve, vetëm për të na ndihmuar të arrijmë diçka që dëshirojmë. /Telegrafi/


















































