Nxënësit e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Dëshmorët e Tivarit” nga fshati Peqan i Komunës së Suharekës kanë realizuar një vizitë edukative në muzeun “Reporting House” në Prishtinë, e organizuar nga organizata EC Ma Ndryshe.

Gjatë kësaj vizite, nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me historinë bashkëkohore të Kosovës përmes gazetarisë, fotografisë dhe artefakteve mediatike që dokumentojnë periudhën 1989–1999, duke përfshirë rezistencën paqësore, luftën e armatosur dhe procesin e çlirimit të vendit.


Siç thuhet në njoftimin e EC Ma Ndryshe, muzeu “Reporting House” trajton gjithashtu shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë kësaj periudhe, duke e shndërruar këtë hapësirë kulturore në një vend të rëndësishëm të kujtesës kolektive, drejtësisë dhe edukimit për brezat e rinj.

Për nxënësit nga Peqani, kjo vizitë u vlerësua si një përvojë e rëndësishme mësimore, që ndihmon në kuptimin e rolit të medias dhe artit në ruajtjen e së vërtetës dhe ndërtimin e narrativave të qëndrueshme historike.

Aktiviteti është realizuar në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore për të gjithë: Ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni”, i cili zbatohet nga EC Ma Ndryshe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me synim afrimin e të rinjve me trashëgiminë kulturore dhe historinë e Kosovës. /Telegrafi/