ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Ndërmarrja Publike Lokale “Përparimi” në Vushtrri ka bërë të ditur se do të vazhdojë me menaxhimin e lokacionit të njohur si “pika e zezë” pranë shkollës në fshatin Stroc, duke paralajmëruar edhe vendosjen e makinerisë përkatëse për menaxhim më efikas të kësaj hapësire.

Përmes një njoftimi, ndërmarrja rikujton se gjatë vitit 2025 ka marrë nën menaxhim këtë lokacion, ndërsa thekson se, megjithëse një pjesë e banorëve kanë kundërshtuar vendimin, qëllimi ka qenë krijimi i një mjedisi më të pastër dhe më të sigurt për komunitetin.


“Menaxhimi i këtij lokacioni nga ndërmarrja jonë është në interes publik dhe, mbi të gjitha, në shërbim të banorëve të fshatit Stroc. Qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet krijimi i një ambienti më të pastër, më të sigurt dhe më të rregulluar për të gjithë”, thuhet në njoftim.

Sipas NPL “Përparimi”, deri më tani janë ndërmarrë masa për rrethimin dhe lokalizimin e hapësirës, ndërsa ishte planifikuar edhe vendosja e rampave për kontrollin e hyrje-daljeve, me synim parandalimin e hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave.

Ndërmarrja thotë se gjatë kësaj periudhe është përballur me pengesa në punë, përfshirë edhe bllokimin e rrugës, gjë që, sipas saj, ka vështirësuar kryerjen e detyrave.

“Pavarësisht këtyre sfidave, ndërmarrja ka vazhduar ta menaxhojë këtë lokacion në mënyrë të rregullt, me intervenime pesë herë në javë, por ju ishit ata që vendosët të bllokoni në mënyrë të njëanshme menaxhimin tonë”, thuhet më tej në reagim.

NPL “Përparimi” ka njoftuar se, nëse ekziston mirëkuptim për vazhdimin e këtij procesi, do të nisë faza e radhës e projektit.

“Do të vazhdojmë me fazën e radhës për mbrojtjen e interesit publik, duke vendosur makinerinë përkatëse në këtë lokacion. Kjo do të mundësojë rritjen e sigurisë, menaxhim më efikas të hapësirës dhe transformimin gradual të saj në një ambient të gjelbëruar dhe të rregulluar, ashtu siç është paraparë”, thuhet në njoftimin e ndërmarrjes. /Telegrafi/