Njëri nga pilotët më të mirë të Formula 1, Lando Norris, ka zbuluar se zotëron një koleksion mbresëlënës prej 16 makinash në garazhin e tij privat.

Në një paraqitje të fundit në podcastin Quadcast, britaniku foli për pasionin e tij për veturat dhe zbuloi cila është e preferuara e tij.


Norris tha se ndonëse ka shitur disa modele së fundmi, koleksioni i tij mbetet i pasur dhe i veçantë.

Ai pranoi se makina e tij më e dashur është Lamborghini Miura P400, një klasik i viteve ’60 me motor V12, 350 kuaj fuqi dhe shpejtësi maksimale prej 280 km/h. Vlera e kësaj makine sot arrin deri në 2 milionë euro.

“Kjo ishte hera e parë që i bëra vetes një dhuratë të vërtetë. Shpenzova shumë para, por ishte një makinë që gjithmonë doja ta kisha”, tha Norris.

Një tjetër perlë e koleksionit të tij është Shelby Cobra, një model ikonik amerikan. Norris e ka personalizuar atë duke e kromuar tërësisht dhe e ka sjellë në pistën e Silverstone, ku e ka vozitur me shumë pasion.

“Doja patjetër një të tillë. E ngava vitin e kaluar dhe ishte fantastike – tingulli është i pabesueshëm”, shtoi piloti i McLarenit.

Interesante mbetet fakti se, ndryshe nga shumica e pilotëve të rinj të Formula 1 që preferojnë modelet moderne, Norris është i lidhur më shumë me klasiket.

Pasioni i tij për makinat daton që nga fëmijëria, kur babai i tij – një entuziast i madh i automobilizmit – e shoqëronte në çdo garë që nga mosha shtatëvjeçare. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app