Lirë dhe thjeshtë

Nëse keni vënë re që në enët tuaja të gatimit, veçanërisht në tenxhere dhe tava, janë shfaqur gjurmë ndryshku, kjo nuk do të thotë se ka ardhur koha t’i hidhni në kosh. Këtë problem mund ta zgjidhni lehtësisht duke përdorur patate dhe kripë


Materialet që përdoren për prodhimin e tenxhereve ndryshojnë shumë. Disa dëmtohen më shpejt, të tjerat janë më pak të prira ndaj ndryshkut dhe kjo varet edhe nga mënyra si i mirëmbani.

Në kundërshtim me mendimin e zakonshëm, tenxheret dhe tavat e ndryshkura mund të pastrohen fare lehtë dhe këtë mund ta bëni pa përdorur kimikate agresive dhe të shtrenjta. Ekziston një metodë e lirë, efikase dhe e sigurt, e cila përfshin përdorimin e patates.

Nëse po kërkoni një mënyrë efektive për të hequr ndryshkun nga tenxheret, nuk keni pse të kërkoni më larg se kuzhina juaj, sepse këtë papastërti mund ta hiqni me patate dhe kripë, transmeton Telegrafi.

Si bëhet?

Prisni një patate përgjysmë. Pastaj merrni kripë dhe fërkojeni me bollëk në sipërfaqen e prerë të patates. Më pas, me të njëjtën pjesë fërkojeni fort sipërfaqen e ndryshkur të tenxheres.

Përsëriteni këtë proces derisa tenxherja të shkëlqejë sërish. Pastaj shpëlajeni kripën dhe fshijeni mirë që të thahet.

Patatja ka një përmbajtje të lartë të një kimikati natyral të quajtur acid oksalik. Ky acid përdoret shpesh në prodhimin e pastruesve, sepse është i fuqishëm për heqjen e ndryshkut dhe njollave të tjera.

Acidi oksalik që gjendet në patate, në kombinim me kripën si substancë gërryese, shpërbën lehtësisht ndryshkun. /Telegrafi/