LAJMI I FUNDIT:

Njeriu që dizajnon të ardhmen tonë

Njeriu që dizajnon të ardhmen tonë

Liam Young e ndërton botën ku mbahemi nën arrest shtëpiak nga dronët, ose e shohim botën me sytë e një makine pa shofer. Ai shpjegon sesi famtashkenca mund të na ndihmojë të orientohemi në të tashmen, shkruan BBC, transmeton Telegrafi.

Liam Young u shkollua për arkitekt, por tani i përdor aftësitë e tij si regjisor për të na përgatitur për të ardhmen përmes asaj që në anglisht quhet World-Building (proces i ndërtimit të një bote imagjinare apo një universi fiktiv – v.j.)


“Është një qasje për të ndërtuar një histori ose narracion që nuk fillon me një komplot apo karakter, por në të vërtetë fillon duke imagjinuar ambiente dhe kontekste në të cilat ato histori mund të nisin të shfaqen”, thotë ai në videon e realizuar gjatë konferencës ndërkombëtare për arkitekturë, enterier dhe dizajn, “Dezeen Day 2019”, të mbajtur në Londër më 30 tetor të këtij viti.

Puna e tij i eksploron kufijtë e paqartë mes filmbërjes, tregimit dhe dizajnit, duke shtruar pyetje provokuese se ku po na çojnë teknikat tona. Si bashkëthemelues i Thinktank-ut “Tomorrow’s Thoughts Today” (Mendimet e nesërme sot), filmat e tij përfshijnë ndër të tjera të parin të xhiruar tërësisht nga dronët autonomë dhe një tjetër me peizazhet që i shohin makinat pa shoferë.

“I imagjinojmë dhe vizualizojmë botët alternative si mjet për të kuptuar botën tonë në mënyrë të re”, thotë ai. “Shumë herë problemet që kemi hasur pothuajse fshihen në pamje të thjeshtë. Janë aq të njohura sa nuk mund të kemi ndonjë distancë kritike përmes së cilës mund t’i rishikojmë. World-building na lejon të rrimë jashtë të njohurës dhe ta shohim atë me sy të freskët”, shton ai. “Kam interesim për të rrëfyer atë që mund t’i fuqizojë njerëzit që të bëjnë zgjedhje për të ardhmen në të cilën duan të jetojnë… Teknologjia është e barabartë me frikën dhe mahnitjen, sepse në shumë mënyra ashtu jemi edhe ne”.

Dokumentarin e shkurtë që i dedikohet punës së tij, mund ta shihni: KËTU. /Telegrafi/