LAJMI I FUNDIT:

Njëri hip se të vrava, tjetri zbrit se të vrava: Nga t’ia mbaj unë?

Njëri hip se të vrava, tjetri zbrit se të vrava: Nga t’ia mbaj unë?
Ilustrim

– Je vaksinuar – pyet gazetarja studentët para fakultetit

– Jo!


– Përse?

– Sepse nuk dua të vaksinohem me detyrim!

Aha, nuk do të vaksinohet me detyrim. Po vaksinohu pa detyrim mor bir, në dorë e ke.

– Nuk dua fare të vaksinohem – thotë dikush tjetër në një studio televizive – duhet të më respektoni vendimin.

Njëri madje kishte regjistruar edhe dialogun me pedagogen, të cilës i thoshte se s’ke asnjë të drejtë të më kërkosh të bëj vaksinën ose të dal jashtë.

– Po mirë – i thotë zyrtarja e Ministrisë së Shëndetësisë – ta respektojmë vendimin, atëherë bëj PCR-në çdo javë.

– Po ajo kushton

– Po atëherë bëj vaksinën që nuk kushton fare!

– Po të drejtat e njeriut?

Hëm. Këtu ngec muhabeti. Nga një popull me vetëm detyrime dhe asnjë të drejtë, më duket se kemi kaluar në një popull me vetëm të drejta e asnjë detyrim.

Pedagogët janë në hall. Të hapin derën, do t’i akuzojnë se po shkelin masat; të mbyllin derën, do t’i akuzojnë se po lënë studentët pa mësim.

Si e tha Gjinoja i shkretë atë shprehjen: “Njëra thotë hip se të vrava, tjetra thotë zbrit se të vrava. Nga t’ia mbaj unë”?