LAJMI I FUNDIT:

Njëmbëdhjetë tipat e lexuesve

Njëmbëdhjetë tipat e lexuesve

Përgatiti: Bajram Karabolli

Sipas revistës së informacionit kulturor në internet CULTURAMAS, ka 11 tipa lexuesish:

1. LEXUESI I DYSHIMTË

Nuk e ka për gjë ta lërë në mes një libër të nisur prej tij, për të filluar një tjetër. Atij i pëlqen të lexoj, veç nuk di të thotë se çfarë lexon.

2. LEXUESI IDHNAK

Është kërkues dhe i pangopur. Ai kurrë nuk e lë përgjysmë librin, edhe sikur të mos i pëlqejë, apo t’i duket se autori nuk di të ndërtojë dot dy fraza me kuptim. Vetëm pasi e ka mbaruar, një libër të tillë e përplas në mur.

3. LEXUESI KRONOLOGJIK

Pasi mbaron një libër së lexuari, shkon përsëri në librari dhe blen një tjetër. Mund ta ndërpresë së lexuari një libër vetëm nëse ka një motiv mjaft të fortë për të vepruar kështu, gjë për të cilën do ta vrasë gjithmonë ndërgjegjja. Është e kundërta e lexuesit të dyshimtë.

4. LEXUESI SHKATARRAQ

I hedh librat gjithandej. Hallakatet nëpër libra, duke i lënë të gjitha të hapura, me kapak të grisur apo të njollosur dhe me fletët të zverdhura, nga lënia shkret dhe përdorimi shkel e shko.

5. LEXUESI I ZËNË ME PUNË I

I pëlqejnë aq shumë librat sa mund të blejë disa njëherazi, por, me të mbërritur në shtëpi, i vendos në raft dhe i lë atje muaj të tërë, pa i prekur me dorë. Kur, më në fund, i lexon, i vjen keq pse nuk i ka lexuar më parë.

6. LEXUESI I ZËNË ME PUNË II

Në të vërtetë, nuk i pëlqen të lexojë, por hiqet sikur lexon dhe blen libra.

7. LEXUESI LIBROFIL

Këtij tipi lexuesi më shumë i pëlqen t’i blejë librat për t’i pasur si objekt, se sa t’i blejë për t’i lexuar ato. Erën dhe ngjyrën e tyre, faqet e tyre të zverdhura, librat e vjetër dhe librat e rinj, çdo gjë e konsideron si një vepër arti.

8. ANTILEXUESI

I duket se librat janë tepër të gjatë dhe nuk i lexon kurrë.

9. LEXUESI ME SHPIRT TË LIRË

Është i rritur dhe lexon libra për fëmijë, apo është fëmijë dhe lexon libra për të rritur. Çdo herë e më shumë, shoqëria i pranon këta shpirtra të lirë letërsisë, pa më të voglin turp.

10. LEXUESI I PËRZIER

Çdo libër që merr në dorë e lexon, por pa mbaruar atë nis e lexon një tjetër. Pra lexon njëherazi disa libra dhe kur i ka mbaruar së lexuari, i bën lëmsh, duke i ngatërruar personazhet, emrat, temat e gjithçka.

11. LEXUESI I PËRGJUMUR

Koha më e mirë për të është të lexojë kur shtrihet për të fjetur, por, duke qenë tejet i rehatuar, e kap gjumi dhe vetëm në mëngjes, kur zgjohet, shuan dritën dhe mbyll librin.