LAJMI I FUNDIT:

Një të madhe, një të vogël apo një pa plumb

Një të madhe, një të vogël apo një pa plumb

E sa shpesh jemi mësuar ta dëgjojmë thënien, Vlerën e dikujt nuk e dimë, deri sa nuk e kemi më; e unë këtë thënie do t’i përshtas diçkaje tjetër dhe do ta përdor në këtë mënyrë Vlerën Makiatove të Prishtinës nuk e dimë, derisa zgjohemi një mëngjes dhe nuk e kemi!

Nga: Getoarbë Mulliqi

Makiato është pija ime e preferuar, verë – dimër, mëngjes-mbrëmje, kafene-shtëpi. Andaj, nuk më duket aspak tragjike nëse do të shkruaj për të. Gjatë kohës që po shkruaj jam e ulur në terasën e njërit nga lokalet e lagjes, po e shijoj një makiato të madhe dhe po mundohem të definoj shijen e kënaqësisë që ma ofron kjo pije; dhe e dini çfarë… nuk po arrij dot ta përcaktoj kënaqësinë që po ma japin qumështi i vluar kush e di sa herë, kafeja e vendosur në te, dhe shkuma të cilën kërkova të mos e kishe, por që përsëri e ka lezetin e vet. E pasi që dje u ktheva nga njëri nga shtete fqinjë, më lejoni të ju them, që po e shijoj më shumë se që e kam shijuar dy ditë më herët, pasi që makiato që e piva dje, e që është gjithçka pos makiatos, më bëri të mallëngjehem për makiatot e Prishtinës, a.k.a makiato më e mirë në botë.


Këtë të fundit, e mbështes edhe me faktin se përpos që kam udhëtuar goxha shumë vetë dhe kam pirë makiato gjithandej, gjithashtu kam takuar edhe ndërkombëtarë të shumtë që e kanë vizituar Prishtinën, dhe si një nga veçoritë e qytetit tonë të dashur, e cilësojnë edhe makiaton. Madje një mikeshë e imja nga Italia, nuk hezitoi të më thotë “E di, edhe pse makiato është italiane, apo të paktën konsiderohet ashtu, unë lirshëm mund të them se kjo është makiato më e mirë që e kam pirë ndonjëherë”. E nga sasia e makiatos, që A.I. Konsumonte në çdo takim tonin, e që ishte e shumtë, i besova… natyrisht, është diçka që do ta thosha edhe vetë, mirëpo kur thuhet nga dikush tjetër, bëhet edhe më e besueshme.

KAFE SI GJITHË TË TJERAT!?
Një nga kafenetë më të njohura në botë është “STARBUCKS”, e që kur jam jashtë vendit është edhe vendi im i preferuar dhe që e frekuentoj më shumë. Madje kur isha në Amsterdam, më duhej që ta “parkoja” biçikletën diku mbi një kanal, dhe të merrja tramvajin për të shkuar tek një STARBUCKS, që të pija makiaton e ditës. Edhe pse ishte rreth 4 euro, e servuar shumë bukur, kisha një pamje mahnitëse përpara vetes… përsëri, mungonte diçka! Dhe për 3 javë radhazi, pija makiaton në STARBUCKS dhe mendoja se çfarë kisha unë që nuk po e shijoja pijen time të preferuar, atë që m’i hap sytë dhe ma jep atë ndjenjën e mirë kur e pi. Dhe doli të jetë, ajo që e thash edhe më lart, më mungonte shija e kënaqësisë, që ma dhuron makiato e Prishtinës. Më mungonte kjo kënaqësi, që po ma jep kjo makiato që jam duk e pirë tani. 1 euro, e servuar në një filxhan të brendit të cilin e posedon kjo kafene e lagjes sime dhe me një pamje modeste; por e ka shijen e makiatos së Prishtinës, dhe kjo e bën UNIKE dhe shumë të dëshiruar.
Pra, nuk mund të themi se është kafe si gjithë të tjerat.

MAKIATO ME…
Më kujtohet fare mirë makiato ime e parë… kur kam qenë e vogël nuk më lejonin të porosis kafe, sepse “do t’më delte bishti” andaj ndërsa të tjerët pinin makiato, unë pija bambi (qumësht të ngrohtë me çokollatë); andaj, është e pamundur të mos më kujtohet hera e parë kur kam pirë makiato. Ishte e çuditshme! I hodha 3 sheqere, shijonte më shumë si sherbet nga qumështi… në çast e kërkova tjetrën, sepse e kuptova se nga sasia e sheqerit që i hodha, definitivisht nuk ishte kjo shija që e prisja. Andaj, nuk mund të themi se ishte “dashuri në ‘kërkim’ të parë”, mirëpo ishte e përmirësuar, dhe që atëherë “romanca” ime me makiaton, vetëm sa bëhet më e bukur.
Është një lloj kënaqësie, që nuk e përshkruan; sikur ato fluturat në bark që na krijohen nga emocionet, e njëjta është edhe me makiatot e Prishtinës.

MAKIATOHOLIKËT
Meqenëse makiato bëhet nga qumështi dhe kafeja, atëherë është më se e natyrshme që makiato ka një sasi kafeine në të; e që është, rreth 65 mg, në një kafe. Pra, në fakt në rast se pimë shumë makiato, me kalimin e kohës do të kemi nevojë të pimë shumë makiato; mirëpo, për makiatot e Prishtinës, nuk do ta thosha në këtë mënyrë.

Meqenëse jam një fanse e makiatove të Prishtinës, vendosa të shkruaj për te, dhe gjatë gjithë kohës më kujtohej miku im Blerim Gj. i cili gjatë kohës që punonim bashkë çdo mëngjes do të pinte dy makiato njërën pas tjetrës. Dhe pasi që shkoi në ShBA, për një kohë më të gjatë, një nga gjërat për të cilat ai tha që do t’i mungonte gjatë kohës që ishte larg, do të jenë pikërisht makiatot.
Dhe, në fakt nuk e fajësoj!
Për të gjithë ju që i keni provuar makiatot e Prishtinës, besoj se ndiheni njëjtë. Ndërsa, për ata që nuk i kanë provuar ose nuk pajtohen, atëherë ju sugjeroj të pini makiato dikund tjetër, dhe do ta kuptoni se çfarë makiato kemi! Në Itali shkoni për pica, në Kinë shkoni për oriz, në Meksikë për takos, në Indi për ushqimin pikant, e nëse doni makiaton më të mirë, ejani në PRISHTINË!
Këtë shkrim ia kushtoj Blerimit, që do ta pres në aeroport me makiaton e vendit të tij të preferuar, dhe gjithë atyre që iu mungojnë makiatot e Prishtinës! Gëzuar me makiaton e madhe të dytë, timen… për sot! /Telegrafi/