Një rikthim pas një dekade të plotë - Audi RS6 sërish si sedan me mbi 700 kuaj/fuqi

Pas dy brezave të fundit që ishin rezervuar ekskluzivisht për versionin karavan Avant, Audi më në fund po kthen RS6-në në formën e limuzinës.
Fotografitë e reja spiunike konfirmojnë se prodhuesi gjerman po përgatit një konkurrent të drejtpërdrejtë për rivalët e përjetshëm BMW M5 dhe Mercedes E 63, ndërsa super-limuzina e re pritet të sjellë një motor plug-in hibrid me më shumë se 700 kuaj-fuqi.
Prototipi i kamufluar i kapur gjatë testimeve në rrugë tregon të gjitha karakteristikat e modeleve RS, të cilat janë parë më parë në versionin karavan.
Ndryshimet përfshijnë një bllok përpara më dinamik, garde më të zgjeruara, pragje anësore më të theksuara dhe një difuzor të pasmë më të thellë me tubat e njohur të dyfishtë oval.
Pamjes sportive i kontribuojnë edhe hapësirat e integruara të ajrit në garderat e përparme dhe një spoiler diskret mbi kapakun e bagazhit.
- YouTube youtu.be
Prototipi është vendosur mbi rrota alumini me pesë degë, dhe duket dukshëm më i ulët se një A6 standard, ndërsa disqet më të mëdha të frenave paralajmërojnë fuqinë e madhe që fshihet nën kapakun e motorit.
Gjenerata e re e familjes A6, duke përfshirë RS6, do të bazohet në platformën Premium Platform Combustion (PPC), me përmirësime të konsiderueshme të shasisë nga inxhinierët e Audi Sport.
Edhe pse fillimisht u dyshua se V8-i i butë hibrid i brezit të kaluar do të zëvendësohej me një sistem plug-in hibrid V6, informacionet e fundit sugjerojnë rikthimin e motorit twin-turbo V8 si pjesë e një sistemi të fuqishëm plug-in hibrid.
Në çdo rast, pritet që fuqia totale e sistemit të tejkalojë 700 kuaj/fuqi (522 kW). Interesante është se më parë janë parë edhe prototipe plotësisht elektrike RS6 E-Tron, por duket se Audi ka anuluar këtë projekt, duke lënë modelin me motor me djegie të brendshme si mbajtësin e vetëm të emrit të famshëm.
Audi ofroi RS6 limuzinë në dy gjeneratat e para (C5 dhe C6), por dy modelet e fundit (C7 dhe C8) ishin në dispozicion vetëm si Avant.
Me zgjerimin e ofertës në gjeneratën e re C9, Audi tregon qartë qëllimin për të konkuruar drejtpërdrejt me modelet BMW M. Data zyrtare e prezantimit ende nuk është konfirmuar, por pritet që Audi RS6 i ri të debutojë gjatë vitit të ardhshëm si model për vitin 2027. /Telegrafi/



















































