Një opsion i ri për të zëvendësuar Isak

Drejtuesit e Liverpoolit vijojnë kërkimet për një sulmues që të kompensojë mungesën e Alexander Isak.
Sulmuesi suedez do të qëndrojë jashtë fushave për disa muaj, pas një dëmtimi të rëndë të pësuar në ndeshjen ndaj Tottenhamit, duke e vënë klubin në një situatë delikate.
Problemet në repartin ofensivë janë shtuar edhe më tej, pasi trajneri nuk do të ketë në dispozicion as Mohamed Salah gjatë javëve në vijim.
Ylli egjiptian është bashkuar tashmë me përfaqësuesen e vendit të tij për përgatitjet e Kupës së Afrikës.

Këto mungesa të rëndësishme rrezikojnë të ndikojnë ndjeshëm, ndaj drejtuesit kanë nisur zyrtarisht kërkimin për një “numër 9” të ri.
Së fundmi, disa media kanë hedhur në qarkullim emrat e Franculino Dju (FC Midtjylland) dhe Antoine Semenyo (Bournemouth) si alternativa të mundshme, por lista e kandidatëve nuk mbyllet këtu.
Sipas raportimeve të Caught Offside, “The Reds” po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë për të afruar Igor Thiago, sulmuesin brazilian që po zhvillon një sezon mjaft pozitiv me Brentfordin.

Deri tani, ai ka shënuar 12 gola në 18 ndeshje zyrtare, shifra që kanë tërhequr vëmendjen e klubit nga Anfield.
Megjithatë, transferimi i tij pritet të jetë i vështirë.
Edhe pse lojtari e sheh me sy të mirë një kalim te Liverpooli, drejtuesit e Brentfordit nuk janë të gatshëm të humbasin një element kyç në mes të sezonit.
“Bees” do të pranojnë largimin vetëm nëse në tryezë vendoset një ofertë shumë e lartë financiare. /Telegrafi/



















































