Policia e Kosovës ka dhënë detaje zyrtare përmes raportit 24-orësh lidhur me incidentin e ndodhur pasditen e së shtunës në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku paraprakisht është raportuar për të shtëna me armë zjarri dhe më pas një veturë ka goditur disa persona.

Sipas policisë, rasti u regjistrua rreth orës 15:30 në rrugën “Fahri Fazliu”, kur u raportua se dy grupe të dyshuara u përfshinë në një përleshje me armë zjarri.


Në vendin e ngjarjes, njësitë policore gjetën dhe sekuestruan dy gëzhoja, një fishek dhe një predhë, ndërsa një person është arrestuar.

Pas shkëmbimit të zjarrit, një nga të dyshuarit goditi me veturë një të dyshuar tjetër, si dhe dy dëshmitarë meshkuj kosovarë që ndodheshin në zonë.

Si pasojë, tre persona u dërguan për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas Policisë, i dyshuari është hospitalizuar, ndërsa dëshmitarët, pasi morën trajtimin, janë liruar nga spitali.

Pas intervistimit, i arrestuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të këtij incidenti dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë.

Ngjarja lidhet me raportimet paraprake për të shtëna me armë zjarri në lagjen “Kodra e Trimave”, ku tre persona rezultuan të lënduar, por sipas policisë lëndimet nuk ishin nga plumbat, por si pasojë e goditjes me veturë gjatë përleshjes. /Telegrafi/