Një ese mbi populizmin

Nga: Maria Sousa Galito, profesoreshë në Universitetin e Lisbonës / Teksti me shënime dhe bibliografi, në këtë link: An Essay on Populism
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
ABSTRAKT
Çfarë është populizmi? Vetë përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje mund të jetë deklaratë politike. Vendimi se kush është (ose nuk është) lider populist është çështje zgjedhjeje dhe e interpretimit të realitetit, ndaj është kaq e vështirë të arrihet konsensusi në këtë nivel. Nuk është vetëm çështje e dallimeve historike apo rajonale, por gjithashtu edhe e perspektivave ideologjike dhe kulturore mbi atë se cila është mënyra e pranueshme apo e patolerueshme për të mbrojtur idealet.
Meqenëse autorët kanë pasur vështirësi në gjetjen e një përkufizimi për populizmin, ky artikull përqendrohet në përpjekjen për të kuptuar se pse ndodh kjo. Fenomeni do të analizohet veçanërisht nga këndvështrimi i shkencave politike. Megjithatë, në fund teksti hap edhe shtigje të tjera, si fushë e emocioneve të përkeqësuara, duke u përpjekur të identifikojë marrëdhëniet mes populizmit dhe krizave ekonomike, sportit ose mediave.
FJALË KYÇE: Populizëm, Demokraci, Krizë ekonomike, Sport, Media.
HYRJE
Teksti është i ndarë në kapituj. I pari shqyrton marrëdhënien midis demokracisë dhe populizmit. Analizon nëse populizmi është fenomen demokratik, simptomë e mungesës së demokracisë apo një regjim krejtësisht i veçantë politik.
I dyti është për konceptin specifik të populizmit. Analizon autorët për mundësinë e arritjes së një përkufizimi të njëzëshëm që mund të zbatohet kudo në botë.
I treti fokusohet në atë se kush është populli për të cilin flet populizmi.
I katërti përpiqet të shpjegojë kush janë populistët. Nëse identifikimi i tyre është çështje opinioni.
I pesti studion karakteristikat e tri qasjeve në kërkimin e populizmit: si ideologji, si stil diskursi apo një strategji politike.
I gjashti përpiqet të kuptojë nëse është fenomen politik - nëse mund të studiohet në fusha të ndryshme.
Anekset kanë informacion plotësues për analizë të mëtejshme. Pjesa e parë e ideve ofron njohuri për populizmin nga perspektiva të ndryshme. I dyti përfshin karakteristikat e populizmit në dy kontinente, Evropë dhe Amerikë Latine, duke mundësuar krahasimin ndërmjet të dyjave.
Ky projekt konsiderohet i dobishëm në botën e sotme, ku populizmi duket të jetë një shqetësim publik në rritje dhe një fenomen gjithnjë e më shumë i studiuar nga shkencat sociale.
Lexo po ashtu:
- Pra, çfarë është populizmi?
- Duhet të ndalojmë së adhuruari perëndinë e rreme të liderit të fortë
- Totalitarizmi dhe virtyti i gënjeshtrës
- Patokracia
- Dinamika psikologjike që u mundëson diktatorëve të qëndrojnë në pushtet
POPULIZMI DHE DEMOKRACIA
Populizmi mund të jetë fenomen demokratik, simptomë e mungesës së demokracisë, apo një regjim më ndryshe politik? Kjo është pyetja e parë e madhe që ka nevojë për një përgjigje.
Demokracia është fjalë greke që vjen nga Demos (populli) dhe Kratos (fuqia), që do të thotë fuqia e popullit. Qytetarëve u jepet e drejta të vendosin kush do t’i qeverisë ata ose çfarë duan të bëjnë (referendumet). Kjo nënkupton se ata janë përgjegjës për zgjedhjet e veta. Pavarësisht (ose për shkak) të kësaj, kur janë të zhgënjyer, ata bashkohen spontanisht ose mobilizohen nga një lider duke pretenduar të vërtetat e veta dhe, nëse është e nevojshme, të gjithë të ngrihen kundër sistemit.
“Demokratia, e cila u shfaq si një lloj regjimi me vetëpohimin historik të një demosi në një moment revolucioni, i referohet kapacitetit kolektiv të një demosi për të bërë gjëra në sferën publike, për t’i bërë gjërat të ndodhin. Nëse kjo është e saktë, demokratia nuk i referohet në radhë të parë kontrollit monopol të demosit ndaj autoritetit ekzistues kushtetues”. (Ober, 2007:5)
Prandaj, pa sundim të ligjit dhe qytetarë të pjekur, demokracia mund të jetë e paqëndrueshme dhe çon në dhunë, kryengritje ose madje edhe revolucion që mund të hapë derën për një regjim më pak miqësor për popullin.
Zgjedhjet janë bekim, duke marrë parasysh mundësitë që ato mund të sjellin. Nga ana tjetër, ato shpesh e nxisin së tepërmi konkurrencën dhe konfliktin në shoqëri.
Demokracia mund të përcaktohet nga vullneti i shumicës, por jo rrallë dominohet nga lobet. Me fjalë të tjera, populli i zakonshëm mund të qeveriset nga një elitë (sociale apo politike, në sport apo në biznes). Perceptimet për padrejtësi mund të çojnë në dhunë. Nëse turma mendon se burimet po shpërndahen padrejtësisht, nuk e pranon një organizim të tipit vertikal dhe lufton për atë horizontal, dyshon në një sistem të bazuar në të drejta të barabarta në vend të barazisë absolute (dhe dëshiron më shumë sesa mund të marrë), nëse privohet ose ka pritshmëri të larta të paplotësuara, nuk identifikohet me kulturën (grupin e vlerave sociale) ose nuk ka respekt për udhëheqësit e saj, atëherë ndodh një rënie e besimit në regjimin politik që minon legjitimitetin e tij. Si pasojë, demokracia varet nga mënyra se si funksionon dhe çfarë ofron, që do të thotë se duhet japë garanci (ose të japë një perceptim të përgjithshëm) për siguri, drejtësi dhe kohezion social.
Populizmi ka gjithçka të bëjë me revoltën kundër status quo-së. Një numër i konsiderueshëm i mbështetësve të tyre nuk dëshirojnë të përfundojnë me demokracinë, dhe në përgjithësi kërkojnë një mënyrë qeverisjeje më miqësore ndaj njerëzve, që do të thotë se populizmi është mjet për ta. Problemi është se, për ta marrë atë që duan, mund të kryhen ekseset. Ata që përdorin çdo mjet për të arritur një rezultat (si, më shumë siguri, më pak taksa ose më shumë vende pune), mund të përfundojnë duke shkatërruar vetë regjimin politik nëse zgjedhin (ose në një mënyrë a tjetër i japin pushtet) një lider që zbaton, për shembull, diktaturën.
Populizmi nuk është paradoks i demokracisë. Ai është i pandashëm nga ky lloj regjimi politik. Nuk ka “marrëdhënie të paqartë me Demokracinë”, por me sundimin e ligjit, gjë që nuk është e njëjta gjë. Është një version ekstrem i fuqisë së popullit. Është fjala për turma ose për drejtuesit e saj që nuk pajtohen më me rrethanat aktuale dhe janë të gatshëm të shkojnë përtej normave shoqërore apo kufijve ligjorë për të ndryshuar situatën. Kjo është arsyeja pse populizmi është ekstremist.
Populizmi është anti-sistem dhe oportunist nëse liderët e tij - pa pasur në mendje interesat më të mira të popullsisë - pasi vijnë në pushtet, përfundojnë duke zbatuar një regjim politik që nuk është demokraci. Retorika është, në mënyrë dramatike, kundër status quo-së, por turma zakonisht kërkon disa rregullime, jo ndryshim të regjimit politik, megjithëse kjo mund të nënkuptohet që në fillim.
“Afatet e kufizuara të mandateve mund të përkeqësojnë, në vend që të zvogëlojnë, prirjen populiste të politikave”. Megjithatë, populizmi nuk ka pse të jetë një “spektër që përndjek demokracinë”. Ai mund të kontrollohet dhe parandalohet. Por, kontrollet dhe balancat duhet të funksionojnë në të dyja drejtimet. Nuk ka të bëjë vetëm me mbikëqyrjen e trazirave, por kryesisht me qeverisjen e mirë. Njerëzit kanë tendencë të respektojnë institucionet dhe udhëheqësit e zgjedhur që promovojnë mirëqenien e shoqërisë. Asgjë nuk duket se i kënaq të gjithë, por një sistem i shëndetshëm mund të mbijetojë më lehtë se një që është i kalbur në thelb. Mirëpo, interpretimi i realitetit gjithashtu ndikon në atë që konsiderohet e pranueshme apo jo - sipas historisë, modeleve kulturore apo ideologjive politike. (Shih Aneksin 1.)
ÇFARË ËSHTË POPULIZMI?
Nëse populizmi është një version ekstrem i demokracisë, ose diçka që mund të lindë në një shoqëri të paekuilibruar ku sundimi i ligjit është minuar, ose njerëzit nuk ndihen më të përfaqësuar nga institucionet e tyre, atëherë pyetja tjetër është për konceptin specifik të tij. Sepse, pa ditur saktësisht çfarë është, është e vështirë të identifikohet dhe të matet.
Autorët janë përballur me vështirësi në përkufizimin e populizmit. Ata thonë se është një “problem mace-qen” që ka një “fokus miop mbi raste specifike”. Të tjerët thonë se, edhe “nëse ofrohet një përkufizim i qartë, lindin problemet konceptuale” . Cili duket të jetë problemi? Me sa duket, përkufizimi “ndryshon sipas vendit, kontekstit dhe periudhave historike”. Por, është më shumë se kaq. Nëse populizmi është fenomen politik, atëherë është e vështirë të jetë neutrale përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje, sepse të zgjedhësh kush është dhe kush nuk është populist është, në vetvete, një deklaratë politike (Sousa Galito, 2017:23). (Shih Aneksin 2.)
Kërkohet kujdes. Sociologët nuk duhet të nxitojnë në përfundime për temën dhe duhet të jenë të vetëdijshëm për interesat e nënkuptuara që mund të mjegullojnë gjykimin e tyre, bazuar në preferencat personale politike ose në ideologji. Kjo është e rëndësishme, sepse mund të ketë ndikim të fortë në rezultatin përfundimtar.
Diskurset, tiparet dhe përbërësit mund të jenë mashtrues. Ndoshta është më e rëndësishme të identifikohen modelet sesa shkronjat kapitale, apo çfarë është vetëm zhurmë, për të parë nëse idetë qëndrojnë për një “periudhë të zgjatur kohe” dhe nëse lëvizjet me të vërtetë nënkuptojnë atë që thonë. (Shih Tabelën 1.)
Tabela 1: Çfarë nuk është populizëm?
| Kur rasti tregon vetëm disa nga përbërësit (të domosdoshëm dhe së bashku të mjaftueshëm) të populizmit (p.sh., kur një parti paraqitet thjesht si një autsajder radikal). |
| Jo një tipar përbërës i qëndrueshëm i partisë ose lëvizjes politike. |
| Diskurs që nuk shprehet në mënyrë të qëndrueshme nga akterët për një periudhë të zgjatur kohe. |
Pra, dy përfundimet e para janë si në vazhdim: Populizmi është version ekstremist i asaj që mund të ndodhë në demokraci (veçanërisht kur drejtësia nuk funksionon apo perceptimi për të), si dhe anti-sistem dhe oportunist. Është fenomen që duhet të jetë një tipar i qëndrueshëm, një model i fortë i një partie apo lideri politik.
Çfarë tjetër? “Unë e përkufizoj populizmin si një formë të mobilizimit politik dhe qeverisjes ku një lider personalist, i fortë, për të krijuar dhe më pas ruajtur mbështetjen masive, thërret ‘popullin’ e konceptuar si një kategori jo-elitare dhe për një qëllim kundërshtues politik, dhe i drejtohet ‘popullit’ përmes veprimeve konkrete dhe formave të të folurit që ndajnë në mënyrë kulturore klasën lokale popullore”. (Ostiguy, 2001:16) A është kjo e vërtetë? A është populizmi një formë e antagonizmit mes popullit dhe elitës që nxitet nga një drejtues karizmatik?
KUSH ËSHTË POPULLI
Romakët e lashtë flisnin për plebenjtë. Il popolo minuto i qyteteve mesjetare, popullsia e Revolucionit Francez, fshatarët në shoqëritë bujqësore ose punëtorët me uniforma të kaltra në sferat industriale janë përkufizime të tjera tradicionale të popullit. Por, në demokracitë moderne, veçanërisht kur ekziston sundimi i ligjit, qytetarët supozohet të kenë të njëjtat të drejta dhe përgjegjësi civile. Kjo nuk është njësoj si feudalizmi që kishte hierarki mes fisnikëve, klerit dhe popullit. Në ditët e sotme, shumë vende kanë një Kushtetutë që garanton barazi përpara ligjit, që do të thotë se të gjithë janë popull. Popullata që mban pushtetin dhe institucionet supozohet të mbrojnë interesin në të mirën e gjithkujt.
Megjithatë, disa janë më të pasur ose më të privilegjuar se të tjerët. Nëse popullsia i bindet ligjit dhe respekton institucionet e saj, mund të ruhet një lloj ekuilibri. Nëse jo, problemet bëhen çështje dhe nga kjo lind populizmi, sepse ai i identifikon viktimat dhe shtypësit. Grupi i parë përbëhet nga të varfrit, njerëzit e mirë, të përjashtuarit, të pafajshmit, njerëzit e pastër dhe të sinqertë si ne. Të tjerët janë elita, të pasurit dhe të përfshirët në sistemin e korruptuar të cilët janë në mënyrë të dukshme fajtorë dhe të këqij, politikisht korrektë ama të rremë, dhe ne nuk duam të kemi asnjë lidhje me ata. (Shih Tabelën 2.) Kjo është një retorikë antagoniste, anti-establishment dhe anti-elitariste.
Populizmi është rebelim i të përjashtuarve. Por, jo vetëm kaq. Është lëvizje ekstremiste e njerëzve që ndihen të lënë jashtë, por që presin për të qenë pjesë e sistemit. Kjo është arsyeja pse ata janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të marrë atë që duan. Nëse ata jetojnë në një demokraci dhe janë pjesë e demosit, atëherë ata duan kratosin. Nëse të tjerët kanë më shumë, të gjithë duhet të kenë më shumë nëse burimet shpërndahen më mirë. Meqë mënyrat normale nuk po e arrijnë më këtë qëllim, krijohen asamble të reja. Një numër i madh qytetarësh protestojnë në rrugë. Disa përdorin dhunë. Populizmi kërkon pushtet me çdo mjet në një shoqëri që nuk është e barabartë apo e drejtë.
Tabela 2: Populizmi - diskursi antagonist politik
| Populli | Elita | ||||
|
| ||||
|
| ||||
|
| ||||
| Ne |
| ||||
|
| ||||
| Të pafajshëm | Fajtorë | ||||
| Politikisht korrektë, por të rremë | ||||
| Viktima | Shtypës |
Populizmi fajëson “institucionet ndërmjetëse”, veçanërisht kur ato konsiderohen të korruptuara ose kur ekziston një perceptim i përgjithshëm për këtë. A nënkupton kjo se demokracia tenton të jetë një shoqëri horizontale? Një sistem i pastër apo teorik, ndoshta. Por, format vertikale të organizimit politik nuk do të kërcënohen domosdo nga populizmi, nëse kultura bazohet në meritë ose mençuri, mësim ose përvojë, dhe është e gatshme të japë më shumë për ata që punojnë më shumë ose kanë aftësi më të larta se të tjerët. Gjithçka varet nga grupi i vlerave të popullit. Është çështje zgjedhjeje dhe preferencë e të jetuarit në një shoqëri egalitare (bashkëpunuese) apo konkurruese. Një gjë është e sigurt, rezultatet shoqërore, ekonomike apo edhe fetare janë të ndryshme.
Populistët përfaqësojnë viktimat e sistemit dhe zakonisht japin një elaborim diskursiv të asaj që nënkupton dhe dëshiron populli. Ata e bëjnë këtë sepse partia politike duhet të mishërojë kërkesat e grupit më të madh. Për t’u ndjerë më të fortë, lideri e ekzagjeron ndjenjën e të qenit që të gjithë numerikisht të rëndësishëm apo edhe homogjenë, por kjo funksionon vetëm në kombe apo njësi. Nëse jo, turma do të shpërbëhet më herët apo më vonë.
Populizmi dhe nacionalizmi janë dy gjëra të ndryshme. “Populizmi banal” ka të bëjë me mitologjinë e popullit . Kombet mund të bëhen më të forta kur një komandant i përgjithshëm i tërheq ato në një drejtim të caktuar, madje edhe në situata krize, kur shteti (institucionet) dhe kombi (popullsia me një grup unik vlerash) janë forcë ekuivalente. Por, kur vendet kanë kombe të ndryshme, ose kombet janë të ndara në kufij politikë, apo veçanërisht brenda konfederatave ose federatave apo blloqeve rajonale, nacionalizmi konsiderohet kërcënim për nivelin më të lartë (institucionet mbikombëtare) dhe për këtë arsye ndonjëherë me çdo mjet sulmohet ose kufizohet.
Populizmi është gjithashtu ndryshe nga fashizmi. Ky i fundit është një përpjekje totalitare për të organizuar shtetin që nuk i lë popullit shumë hapësirë për të marrë frymë. I pari lavdëron sovranitetin e popullsisë, ofron gjithë lirinë që ata duan, të paktën në fillim. Në fakt, populizmi mund të fuqizojë një lider oportunist ose një parti politike që mund të zbatojë lloje të ndryshme regjimesh politike, përfshirë fashizmin; por, më vonë, pas tradhtisë së besimit të ndjekësve të tij, sepse mesazhi i përdorur për të mbledhur mbështetje ndoshta ishte i bazuar në liri.
KUSH JANË POPULISTËT?
Identifikimi i populistëve është çështje opinioni. Varet nga interesat politike që fshihen pas pretendimit, nga të dyja anët, sepse disa mund të mendojnë se ekstremet janë të pranueshme kur mbrohet një gjë, por të patolerueshme kur shtyhet për diçka tjetër.
Populistët pretendojnë të përfaqësojnë drejtpërdrejt interesat e popullit dhe të jenë një prej tyre. Ata shfrytëzojnë valën e polarizimit (të një shoqërie të ndarë) ose diskriminimit (rivalitet mes grupeve që nuk durojnë njëri-tjetrin ose janë të paaftë për të negociuar një mënyrë të harmonishme bashkëjetese). Kur ka krizë dhe pakënaqësi të përgjithshme për këtë, ata ofrojnë zgjidhje, por shpesh radikale ose mjaftueshëm abstrakte dhe idealiste për të bindur turmën se një e ardhme më e mirë është e mundur nën sundimin e tyre. (Shih Tabelën 3.)
Tabela 3: Çfarë ofrojnë populistët dhe kundër kujt tërbohen
| Populistët | |||||
|
| ||||
|
| ||||
|
| ||||
| Krizës |
|
Liderët duhet të jenë popullorë, në një demokraci, nëse duan të zgjidhen, por do të bëhen populistë vetëm nëse e kalojnë vijën. Prandaj, të jesh popullor do të thotë të jesh mbrojtës dhe transparent (informues dhe jo i korruptuar); të mbash premtimet ose të ofrosh përgjigje realiste dhe të moderuara për problemet bazuar në masa konkrete. Politikat e tyre publike kanë rezultate të parashikueshme dhe mund të zbatohen pa vënë në pikëpyetje sundimin e ligjit dhe rendin demokratik. Këta liderë nuk do të ndëshkojnë opinionin publik për kritikë konstruktive, sepse ata e dinë që sistemi duhet të mbijetojë dhe ata duhet të jenë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit. (Shih Tabelën 4.)
Populistët janë të paparashikueshëm ose të aftë për gjithçka. Ata mund të jenë idealistë, paternalistë ose ekstremistë kur mobilizojnë turmën. Ata ofrojnë një plan abstrakt për atë që mund të jetë e ardhmja dhe premtojnë atë që patjetër nuk munden ose nuk do ta mbajnë. Ata janë të paparashikueshëm (ose të paqëndrueshëm) dhe mund të ndëshkojnë kritikat, të jenë hakmarrës dhe shkatërrues. Ata konsiderohen të guximshëm nga mbështetësit e tyre, por në fund të fundit janë të rrezikshëm për sistemin, për armiqtë e tyre; disa prej tyre kthehen kundër aleatëve të tyre pasi gara mbaron, ose bëhen figura kulti (dhe për këtë arsye, të paarritshëm).
Tabela 4: Dallimet midis popullor dhe populist
| Popullor | Populist | ||||
|
| ||||
|
| ||||
|
| ||||
| Masa konkrete |
| ||||
|
| ||||
| Mbrojtës | Paternalist | ||||
| Idealist | ||||
| Kritikë konstruktive | Kritikë destruktive | ||||
| I sigurt | I rrezikshëm | ||||
| Udhëheq qytetarë të informuar dhe të pjekur | Udhëheq turmën |
Populistët kanë nevojë për njerëzit, më shumë sesa anasjelltas. Meqë mobilizimi i turmave nuk është i lehtë, ata duhet të jenë folës të mirë ose, të paktën, zbavitës. Dritat janë të drejtuara mbi ta, ndaj ata mund të jenë emocionues, magjepsës, hipnotizues, frikësues ose misteriozë (jo të gjitha turmat kanë të njëjtat nevoja dhe dëshira). Ata mund të jenë oratorë të jashtëzakonshëm, por jo të gjithë kanë përvojë në sferën politike, pasi nganjëherë janë avokatë të njohur dhe aktivistë, madje aktorë dhe prezantues televizivë, ose një lloj tjetër liderësh karizmatikë.
Populistët nuk do ta arrijnë qëllimin e tyre vetëm me fjalë, por sigurisht që kanë nevojë të kënaqin audiencën e vet. Ata mund të jenë oportunistë që në fillim, por jo të gjithë janë pragmatikë ose cinikë. Disa besojnë vërtet në atë që po mbrojnë dhe bëjnë. Nëse janë idealistë, pas zgjedhjeve ose sapo të marrin pushtetin, do të detyrohen të përballen me realitetin (dhe të formësohen nga e vërteta e ashpër) ose të zëvendësohen nga dikush tjetër.
A ËSHTË POPULIZMI IDEOLOGJI, STIL DISKURSIV APO STRATEGJI POLITIKE?
Nuk ka shumë konsensus rreth asaj që është populizëm, por zakonisht studiohet nga njëra prej këtyre perspektivave (ose nga të gjitha së bashku): si një ideologji, një stil diskursiv, ose një strategji politike. (Shih Tabelën 5.)
Tabela 5: Karakteristikat e tri qasjeve në hulumtimin e populizmit
| Subjekti kryesor | Qasjet | Përkufizim i populizmit | Njësia e analizës | Metoda të rëndësishme |
| Të menduarit | Ideologji politike | Ide rreth natyrës së politikës dhe shoqërisë | Parti Liderë partiakë | Analizë kualitative ose automatike e teksteve (kryesisht e literaturës partiake) |
| Të folurit | Stil diskursiv politik | Pretendime rreth politikës Karakteristikat e diskursit | Tekste Fjalime Diskurs publik për politikën | Analizë interpretuese tekstuale |
| Veprimi | Strategji politike | Një formë mobilizimi dhe organizimi | Parti (me fokus te strukturat), lëvizje shoqërore, liderë | Analizë krahasuese historike Studime rasti |
Duke marrë parasysh këtë perspektivë, studimet empirike e përqendrojnë analizën e tyre te partitë dhe liderët e partive në tekste kualitative ose të automatizuara.
Si ideologji, populizmi ka një koncept monolitik të popullit, ndoshta sinonim i burrave dhe grave të zakonshëm, njerëzve pa pushtet, i të shfrytëzuarve, të varfërve. Pretendon të mbrojë “vullnetin e përgjithshëm” ose diçka më komplekse si kombi (vlerat themelore të vendosura në një territor të caktuar). Ekziston një linjë antagoniste mendimi që nënkupton përjashtimin e grupit kërcënues ose abuzues - të tjerët, elitën. “Ne kundër tyre” është mënyra e mbijetesës së të virtytshmëve që mbrohen nga të korruptuarit. (Shih Tabelën 6.)
Tabela 6: Populizmi si ideologji politike
| Politika si shprehje e vullnetit të përgjithshëm (populli si sovran) |
| Koncept monolitik për popullin |
| Populli / kombi / burrat dhe gratë e zakonshëm / njerëzit pa pushtet / të varfrit / të shfrytëzuarit / ... |
| Dy grupe homogjene (popull/elitë, shumicë/pakicë, ...) |
| Antagonizëm (“ne” kundër “atyre”). Përjashtimi i “të tjerëve” |
| Populli i tradhtuar nga ata që janë në pushtet |
| Lavdërimi i “popullit” (i pastër, i virtytshëm) dhe denigrimi i “elitës” (e korruptuar) |
Nuk është aq shumë si një grup idesh. Si një vijë mendimi është kryesisht i pazbatueshëm dhe tepër abstrakt. Si ideologji konsiderohet se nuk ofron pamje gjithëpërfshirëse, për shkak të paqartësisë së saj, por instrumentale në vlerat e saj themelore, që do të thotë se më shumë njerëz mund të bindën se është ajo që ata po kërkojnë.
Në fund, “(...) populizmi nuk është as i majtë as i djathtë, as progresiv as konservator. Populizmi mund të kombinohet me shumë ‘ideologji e tejkaluar’ (...)” (Bakker, Rooduijn dhe Schumacher, 2015: 4). Nëse kjo është e vërtetë, atëherë populizmi nuk është aq shumë ideologji sa është një ombrellë, një mënyrë instrumentale për të marrë atë që dëshiron populli (ose më saktësisht, udhëheqësit e tij). Kjo është arsyeja kryesore pse disa autorë e kanë konsideruar si interpretimin më të dobët të fenomenit.
Aslanidis (2015) sugjeron se populizmi përshkruhet më mirë si një diskurs sesa si ideologji dhe se analiza e kornizës mund të inkurajojë punën krahasuese. Autori pohon se natyra kameleone e tij i përshtatet rrethanave dhe i bashkëngjitet sistemeve të përcaktuara të ideve (si socializmi apo liberalizmi), por asnjëherë nuk bëhet vërtet një prej tyre për shkak të mungesës së koherencës. Me fjalë të tjera, populizmi është një lloj mesazhi që kalon si i fortë dhe i fuqishëm. Një mesazh që është anti-establishment. Nuk i respekton normat dhe institucionet që nuk përfaqësojnë “vullnetin e përgjithshëm” (ose perceptimin e tij), bazuar në fjalime, manifestet partiake dhe deklaratat për shtyp.
Tabela 7: Populizmi si strategji politike
| Mënyra specifike e konkurrimit për pushtet politik dhe e ushtrimit të tij |
| Mbështetje nga masat Masat si një numër i madh ndjekësish kryesisht të paorganizuar Pushtet i bazuar në mbështetje të drejtpërdrejtë, të pandërmjetësuar, jo të institucionalizuar Populist - tip karizmatik (I rrënjosur në cilësitë personale. Përfshin asimetri midis liderëve dhe ndjekësve, por gjithashtu qasje të drejtpërdrejt dhe pasion të madh) Populist - lider personalist Populisti është një autsajder (sfidues i ri) që mishëron kërkesat e “popullit” |
Populizmi është “gjuha e politikës kur nuk mund të ketë politikë si zakonisht” dhe individët duken më të prirë ndaj tij sesa partitë politike (veçanërisht kur tashmë janë të konsoliduara ose pjesë e sistemit, ndryshe nga partitë e reja që mund të jenë të paparashikueshme). Liderët ndoshta janë më të paqëndrueshëm, për shkak të natyrës së tyre manipuluese (kush nuk është me mua është tradhtar) ose si cak, pasi janë lehtësisht të kritikueshëm nga armiqtë e tyre apo më të prekshëm ndaj kritikës nga homologët e tyre.
Nëse “ana tjetër e depolitizimit të politikës, nga ana e populizmit, është hiper-politizim i marrëdhënieve shoqërore”, a mund të jetë populizmi një strategji politike? Nëse po, ka tri variante të bazuara në format e mobilizimit, zgjedhjeve politike ose organizimit politik.
Populizmi mund të konsiderohet si një mënyrë ekstreme për t’u zgjedhur. Analiza e zgjedhjes së votës shtron pyetje si dikotomia artificiale dhe paragjykimi. Jo të gjithë mbështetësit e liderëve populistë votojnë për të njëjtën parti ose mbrojnë të njëjtën ideologji politike, që do të thotë se është e rëndësishme për të “ndarë populizmin nga tiparet që mund të ndodhin rregullisht së bashku me të, por që nuk janë pjesë e tij”.
Populizmi si strategji politike, dhe jo si ideologji, merret si formë mobilizimi. Rreziqet e sjelljes së turmës bëhen çështje, jo aq shumë për populistët, sa për institucionet ligjore. Në këtë nivel, mund të identifikohen disa dallime midis grupeve të majta dhe të djathta. (Shih Tabelën 8.) Në fakt, sipas Kriesit (2015), lëvizjet shoqërore janë sfida që mobilizohen në kanale jo-elektorale; grupet e interesit janë akterë të linjës kryesore që mobilizohen në kanale jo-elektorale; partitë e lëvizjes (aktivistë politikë që dalin nga lëvizjet shoqërore) janë sfidues që mobilizohen në kanale elektorale; dhe, partitë politike janë akterë të linjës kryesore që mobilizohen në kanale elektorale.
Tabela 8: Format e mobilizimit politik
| Kanalet e mobilizimit | ||
| Jo-elektorale | Elektorale | |
| Sfidues | Lëvizje shoqërore | Parti e lëvizjes |
| Rrjedha kryesore | Grup interesi | Parti politike |
POPULIZMI ËSHTË FENOMEN POLITIK
Për sa kohë që ekziston populli, ata mund ta teprojnë. Nëse populizmi është shprehje ekstremiste e demokracisë, ai mund të gjendet gjithashtu në periudha të krizës ekonomike, në paqëndrueshmërinë shoqërore apo ekstremizmin fetar. Por, në përgjithësi, nuk pushon së qeni fenomen politik, nëse marrim parasysh që politikanët (jo vetëm ata profesionistë) të polis-it janë qytetarë të qytetit. Sipas kësaj ideje, ai gjithmonë ka një lloj ndikimi ose pasoje politike. Jo të gjithë mund të pajtohen me këtë ide, por është një ide e mundshme. (Shih Aneksin 1.)
Një krizë ekonomike mund të hapë derën për populizmin, por zakonisht nuk është e mjaftueshme. Perceptimi i përgjithshëm se vështirësitë ekonomike po vijnë, mund të jetë gjithashtu një çështje kyçe, sepse njerëzit mund të ndihen të detyruar të luftojnë kundër qeverisë për të parandaluar masat shtrënguese që kufizojnë mundësitë e punës ose çojnë në nivele të larta papunësie dhe taksa të larta. Ndoshta fusha është e minuar tashmë nga mungesa e besimit ndaj “mjegullimit të institucioneve politike”. Ose, nga një mungesë e rrënjosur përfaqësimi. Ose, nga pabarazia e lartë në të ardhura ose nga heterogjeniteti shoqëror që mundëson “elitën e pasur (ose një nëngrup të saj) të ketë ndikim joproporcional në politikë”. Pastaj të varfrit ose të pafatët zemërohen më shumë kundër të pasurve dhe të privilegjuarve, dhe topi i dëborës nis të rrotullohet.
Populizmi është shpesh një mënyrë për të luftuar haptazi ose në mënyrë mashtruese për burimet natyrore që përfaqësojnë burimet e rëndësishme të të ardhurave - si nafta dhe gazi natyror, uji i pijshëm ose pyjet (druri).
Gazetarët duhet të informojnë njerëzit për këto gjëra, por ata japin diçka krejt tjetër. Televizioni dhe radioja janë forma të komunikimit masiv dhe, për këtë arsye, janë gjithashtu të cenueshme nga populizmi, veçanërisht kur shikueshmëria është forca lëvizëse e një biznesi prej miliarda dollarësh. Interneti është një dimension tjetër, virtual dhe më i rrezikshëm për shkak se është më pak i kontrolluar, duke qarkulluar çdo lloj propagande e cila, një ditë, mund të ndezë protesta të vërteta ose sjellje ekstreme në rrugë.
Populizmi mund të gjendet gjithashtu në sport, veçanërisht në futboll (me ndikim lokal, kombëtar ose botëror). Në disa vende kjo është më e dukshme se në të tjerat. Dhe, është përdorur si mjet në të tashmen ashtu si edhe në të kaluarën.
Populizmi është fenomen grupor dhe njerëzit janë krijesa shoqërore. Si një formë ekstremiste e demokracisë, nuk është e rrallë të përjetohet në stadiume, ku liderët janë në afërsi të njerëzve me emocione të forta. Ushqyer nga rivaliteti mes kundërshtarëve, ky lloj ambienti mund të përhapë huliganizëm dhe dhunë.
Sportet lidhen me përvoja ekstreme emocionale që mund të nxisin rivalitet dhe dhunë nga huliganët dhe drejtuesit e klubeve. Kjo mund të interpretohet nga Psikologjia ose Sociologjia.
Bazuar në afinitetin zgjedhor, ekziston një lidhje mes sistemit të besimit dhe prirjes psikologjike të votuesit. Në fakt, njerëzit votojnë për njerëz ose mesazhe që duken se përputhen me personalitetin e tyre, gjë që nënkupton projektimin. Individët që ndihen të frikësuar priren të jenë më vigjilentë dhe njerëzit e zemëruar kanë më shumë gjasa të fajësojnë të tjerët. Populizmi lidhet më shumë me zemërim dhe indinjatë dhe shpesh shet iluzion.
Shkenca zakonisht fokusohet në logjikë dhe jo në emocione. Sociologjia politike priret t’i margjinalizojë ato. Fusha e Sociologjisë Politike të Emocioneve lejon fenomenet politike të analizohen nga një perspektivë emocionale, gjë që duket më efikase sesa t’i reduktosh situatat nga një pikëpamje moniste, vetëm në emocione dhe ndjenja, siç bën Sociologjia Emocionale Politike.
Populizmi krijon emocione dhe udhëheqësit e tij, në histori, kanë qenë në gjendje të nxisin ndryshimin politik dhe ngjyrimin fetar. Por, ka gjithashtu një shkallë e madhe racionaliteti në motivimet e udhëheqësve dhe po ashtu edhe të ndjekësve në politikën populiste.
PËRFUNDIM
Populizmi mund të jetë fenomen politik dhe një version ekstrem i fuqisë së popullit në veprim - në forcë të plotë. Gjithçka ka të bëjë me zemërimin dhe frustrimin kundër një sistemi që përjashton grupet që pretendojnë të përkasin, ose kanë pritshmëri të marrin më shumë nga sa marrin për momentin. Mund të kontrollohet, por kufizimet e mandateve munden në fakt të përkeqësojnë prirjet populiste, nëse qeveria ose institucionet publike nuk mund të sigurojnë gjërat si siguria, paqja, mirëqenia ose kohezioni social.
Populizmi është ekstremist, anti-sistem dhe oportunist. Verifikohet për një periudhë të zgjatur kohe, nuk është fjalim i thjeshtë emocional ose manifestim i madh në rrugë - është një lëvizje shoqërore.
Populizmi vështirë mund të konsiderohet ideologji (në rastin më të mirë është me pikëpamje të ngushtë). Zakonisht është një vijë e paqartë mendimi dhe një mënyrë kameleone për t’u përshtatur me njerëz të zhgënjyer që ndiejnë nevojën të bëjnë diçka jashtë të zakonshmes; që janë në kërkim të një rruge shpëtimi, dhe, janë të aftë ta interpretojnë atë si zgjidhje për problemet e tyre.
Si stil diskursiv mund të jetë gjuhë e politikës kur nuk mund të ketë politikë si zakonisht - kur status quo-ja konsiderohet e patolerueshme për një turmë që dëshiron të shprehet dhe është e gatshme t’ia kushtojë vëmendjen liderëve që dinë t’ua lexojnë mendjen dhe t’ua thonë atë që ata duan të dëgjojnë.
Si strategji politike është një formë e organizimi politik, e mobilizimi ose një zgjedhjeje politike. Në këtë nivel, mund të përdoren të gjitha mjetet për të arritur një qëllim, veçanërisht nëse vepruesit e tij nuk kanë skrupull.
Populistët mund të jenë liderë karizmatikë, të aftë të mobilizojnë në mënyrë të qëndrueshme masat. Në një demokraci moderne, veçanërisht nën sundimin e ligjit, të gjithë qytetarët (të një zone të caktuar) mund të konsiderohen anëtarë të popullit dhe, për këtë arsye, të paktën në teori, të gjithë janë të cenueshëm nga propaganda e këtij lloji.
Megjithatë, populli zakonisht nuk është homogjen. Grupe të ndryshme mund të mos identifikohen patjetër me të njëjtat tema ose perspektiva. Disa do të jenë më të ndjeshëm ndaj një grupi vlerash të majta, të tjerët ndaj retorikës së djathtë.
Disa mund të jenë të ndjeshëm ndaj fundamentalizmit fetar, huliganizmit në sport, teprimeve në media, ose formave të tjera të sjelljeve të rrezikshme që çojnë në çrregullim demokratik. Njerëzit me shtysë të fortë emocionale mund ta gjejnë veten, një ditë - nëse nuk janë të kujdesshëm - në duart e ekstremistëve që mund t’i çojnë ata (dhe të gjithë të tjerët) drejt një të ardhmeje të pasigurt. /Telegrafi/

















































