Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valon Murtezaj një ditë para mbajtjes së Kuvendit të kësaj partie theksoi se do të përkushtohet që liria, demokracia dhe normat e statutit të LDK-së së Ibrahim Rugovës të respektohen dhe zbatohen me vërtetësi dhe integritet.

Murtezaj tha se ky takim i Kuvendit të LDK-së, që do të mbahet të shtunën më 31 janar vjen pas 20 muajve të mungesës së plotë të vendim-marrjes në dy organet kryesore dhe të vetme ku merren vendimet kryesore në LDK (Këshilli i Përgjithshëm dhe Kuvendi).


Lexoni të plotë postimin:

Të nderuara Anëtare dhe Anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,

Të nderuar bashkëqytetarë të Republikës së Kosovës,

Në vigjilje të Kuvendit të Lidhjes Demokratike të Kosovës,

duke kujtuar dhe respektuar historinë tonë të lavdishme të atdheut tonë Kosovës,

me nderimin më të thellë për kontributin e brezave, për liri, pavarësi e demokraci në Kosovë, dhe vetëmohimin deri në flijim,

do të përkushtohem që liria dhe demokracia, dhe normat e statutit të Lidhjes Demokratike të Kosovës të Ibrahim Rugovës të respektohen dhe zbatohen me vërtetësi dhe integritet.

Ky takim vjen pas 20 muajve të mungesës së plotë të vendim-marrjes në dy organet kryesore dhe të vetme ku merren vendimet kryesore në Lidhjen Demokratike të Kosoves (Këshilli i Përgjithshëm dhe Kuvendi).

Gjatë kësaj periudhe në Kosovë ka pasur 4 palë zgjedhje (dy nacionale, dhe ato lokale me dy raunde), dhe mbi një vit pa institucione me kompetencë të plotë të Republikës së Kosovës.

Dua të ju sigurojë që ndërgjegjja ime, përvoja jetësore dhe integriteti, nuk do të pushtohen kurrë nga prirja autokratike, mentaliteti korruptiv apo profiterizmi egoist, apo nga pasionet destruktive për pushtet.

Angazhohem që koha që vjen të ketë norma demokratike.

Demokracia marshon dhe atë nuk mund ta ndalë askush.

Për liri dhe demokraci, gjithmonë. /Telegrafi/