Nisja perfekte e Leard Sadriut në Rumani, qendërmbrojtësi që po shënon shumë gola: Pritja ka qenë fantastike, duam daljen në Evropë

Pas tri viteve të suksesshme në Slloveni me skuadrën Mura, mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Leard Sadriu, ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij.
22-vjeçari nga Ferizaj ka bërë hapin drejt kampionatit rumun, ku është transferuar këtë verë te FC Argeș, një klub me histori të pasur dhe ambicie të qarta për rikthim në majat e futbollit vendas.
Për Sadriun, i cili më parë ka veshur fanellat e Shkëndijës së Tetovës dhe Skënderbeut të Korçës, kalimi në Rumani është treguar lëvizje e qëlluar.
Edhe pse Argeș nuk e nisi mirë sezonin, me dy humbje radhazi, fitorja e fundit si mysafir ndaj CFR Cluj ka rikthyer optimizmin te skuadra, sidomos falë kontributit të Sadriut, i cili shënoi golin e dytë në tri paraqitje.
Qendërmbrojtësi kosovar ka befasuar me formën e tij jo vetëm në detyrat mbrojtëse, por edhe në fazën ofensive, duke shënuar dy gola në tri ndeshje, një statistikë e rrallë për një lojtar në pozicionin e tij.
Ai ndjehet i pritur mirë nga klubi, tifozët dhe bashkëlojtarët, ndërsa objektivi i tij është të ndihmojë Argeș të arrijë në fazën "play-off" dhe të sigurojë pjesëmarrjen në garat evropiane.
Në një intervistë për Telegrafin, Sadriu tregon se kishte oferta nga disa kampionate evropiane, por në fund vendosi t’i besojë projektit të klubit rumun, i bindur nga vizioni i drejtuesve të FC Argeș.
"Pas tre viteve në Slloveni, ku përfundova kontratën me ekipin Mura, vendosa të largohem nga kampionati slloven. Pati interesim nga shumë ekipe në kampionate të ndryshme, por projekti i ekipit Argeș më bindi. Gjatë bisedave me trajnerin dhe drejtorin sportiv të klubit, u bindja se kjo do të ishte një lëvizje ideale për mua dhe ashtu po duket", tha fillimisht Sadriu për Telegrafin.
Edhe pse kishte disa pista të hapura, përfshirë nga vende si Polonia, Kroacia apo Austria, Sadriu thekson se oferta e Argeș ishte më konkrete dhe për këtë arsye marrëveshja u realizua shpejt.
"Ka pasur interesim edhe nga disa liga evropiane, si Polonia, Kroacia, Austria, Turqia dhe disa të tjera, por Argeș ishte më konkret dhe marrëveshja u arrit shumë shpejt".
Ai ka mbetur i impresionuar me mënyrën se si është pritur në Rumani, një atmosferë e ngrohtë që i ka ndihmuar të përshtatet shpejt me ambientin dhe ekipin e ri.
"Jam pritur jashtëzakonisht mirë nga drejtuesit e klubit, bashkëlojtarët dhe publiku, gjë që ka qenë shumë pozitive për mua. Edhe tifozët më kanë pritur ngrohtësisht, që për një futbollist do të thotë shumë", vazhdoi tutje Sadriu.
Edhe pse fillimi i sezonit ishte i vështirë, me dy humbje ndaj rivalëve të fortë, Sadriu beson se skuadra ka cilësi për të konkurruar me të gjitha ekipet në kampionat. Ai e sheh fitoren ndaj Cluj si pikë kthesë.
"Nuk e nisëm mirë kampionatin, fati ishte kundër nesh. Tre ndeshjet e para i zhvilluam kundër tri prej ekipeve pretendente për titull. Ndoshta në dy ndeshjet e para, edhe pse pësuam humbje, rezultati nuk ishte pasqyrim i lojës. Por në ndeshjen e tretë, edhe fati ishte me ne, duke mposhtur Cluj-in si mysafir. Ndoshta për shumëkënd ka qenë befasi, por në bazë të lojës, mund të kishim fituar edhe më bindshëm. Kjo fitore na bën të besojmë se jemi ekip që mund të mposhtim çdo skuadër në kampionatin rumun", tha Sadriu.
Në aspektin personal, Sadriu ka shkëlqyer duke realizuar dy gola në tri ndeshjet e para, një arritje e veçantë për një mbrojtës qendror.
"Në 3 ndeshje shënova 2 gola, që për një qendërmbrojtës është një arritje e madhe. Vlen të përmendet që edhe në ndeshjen e parë, me pak fat, mund të shënoja, godita shtyllën. Goli kundër Universitatea Craiova më dha shumë besim, ndërsa ai kundër Clujit ishte 'qershia mbi tortë'. Besoj se do të vazhdoj me këtë ritëm dhe pse jo të ndihmoj ekipin me gola të tjerë."
Sadriu ka edhe synime të qarta për këtë sezon, si në nivel personal ashtu edhe me ekipin duke përfshirë paraqitje të mira, sukses në Kupën e Rumanisë dhe kualifikim në arenën evropiane.
"Objektivat e mi personalë janë që me ekipin e Argeș të kem paraqitje sa më të mira. E kam nisur shumë mirë. Objektivi i ekipit për këtë sezon është të arrijmë fazën 'play-off' dhe të bëjmë një paraqitje të mirë në Kupën e Rumanisë me synimin për të siguruar një vend që na çon në garat evropiane", përfundoi mbrojtësi ferizajas. /Telegrafi/

























































