Shorti për renditjen e partive në fletëvotim - Radoniqi u bën thirrje subjekteve për bashkëpunim e respektim të rregullave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procesin e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Kryesuesi Kreshnik Radoniqi ka bërë të ditur se numrat në fletëvotim do të jenë nga 111 deri në 134.
“Sot do të tërheqim shortin për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin për zgjedhjet e 28 dhjetorit,” tha Radoniqi, duke sqaruar se ky është një nga hapat kryesorë drejt finalizimit të përgatitjeve zgjedhore.
Ai theksoi se KQZ ka qenë maksimalisht e angazhuar gjatë dy javëve të fundit për të siguruar organizim të rregullt të procesit.
“Prej dy javësh KQZ ka qenë e angazhuar në mënyrë intensive në planifikimin dhe zbatimin e aktiviteteve të nevojshme për organizimin e zgjedhjeve,” u shpreh ai.
Radoniqi bëri të ditur se pas shortit, procesi vazhdon me fazat e ardhshme teknike.
“Pas këtij aktiviteti, KQZ do të vazhdojë me hapat e ardhshëm si miratimin e dizajnit të përmbajtjes së fletëvotimeve dhe përgatitjen për fillimin e procesit të votimit me postë për qytetarët tanë që jetojnë jashtë Kosovës,” tha ai.
Në fund, kryesuesi i KQZ-së u bëri thirrje subjekteve që fushatën ta zhvillojnë me korrektësi.
“Ftoj të gjitha subjektet politike dhe kandidatët që angazhimin e tyre ta zhvillojnë në frymë të bashkëpunimit, respektit dhe përkushtimit ndaj rregullave dhe ligjeve zgjedhore,” deklaroi Radoniqi. /Telegrafi/


































